AlbanianSport.com 04/12/2018 18:20
ASNN – I ftuar në emisionin “Intervista e mbrëmjes” në televizionin “Ora News”, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, preku një sërë çështjesh që lidhen me futbollin në vend, ekipin kombëtar, akuzave të shumta për trukimet si dhe shortin e Euro 2020-ës. Madje Duka foli dhe për temën e shumëdiskutuar që ka të bëjë me bastet sportive, ku lëshoi një batutë mjaft të fortë që mund të jetë dhe një ironi ndaj klasës politike.
“Bastet do të mbyllen aq sa është ndaluar duhani në lokale…”, – u shpreh shkurt presidenti i FSHF-së, duke lënë të kuptuar që bastet nuk do të mbyllen asnjëherë plotësisht. Kreu i futbollit në vend komentoi dhe temën shumë të diskutuar në mjedisin sportive shqiptar, atë të trukimit të ndeshjeve, duke thënë: “Ky është një fenomen që e dëgjoj shpesh. Dëgjoj bastexhinjë të rëndomte që humbasin 1-2 mijë lekë në skedinë dhe thonë “E shiti Ronaldo, e shiti Mesi”.”
“Kjo bën të kuptosh se ata nuk duhen dëgjuar aspak”, – shtoi Duka. Ndërkohë, shortin e Evropianit, ku Shqipëria ra në grupin H së bashku me Francën, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën, kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar e quajti një “bast të fituar”, sepse goglat mund të ishin treguar më pak të mëshirshme dhe mund të kishim përballë kundërshtarë akoma më të fortë. Për Dukën ka shanse reale për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit 2020.