AlbanianSport.com 17.11.2016 17:05
ASNN – Mbledhja e Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, që ishte programuar për ditën e enjte, dhe ku pritej të merrej një tjetër vendim i rëndë për skuadrën e Flamurtarit, nuk u mbajt për mungesë kuorumi, raporton televizioni “Top Channel”.
Pak ditë më parë, skuadrës së Flamurtarit iu hoqën 6 pikë për mospagim të detyrimeve ndaj Veliut, Arbrit dhe Sakajt, ndërkohë që e njëjta masë pritej të merrej edhe në këtë mbledhje për shkak se afati i lënë për pagesën ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka skadoi më 14 nëntor.
Nga Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka një datë zyrtare se kur do të mblidhet Komisioni i Disiplinës për të shqyrtuar këtë rast, ndërsa administratori i skuadrës së Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk e njeh kontratën e trajnerit Gjoka, dhe si rrjedhojë as nuk pranon ta paguajë.
“Federata ka një kontratë, mesa di unë, të zotit Gjika, – deklaroi ditë më parë për televizionin në fjalë, Sinan Idrizi. – Ndërkohë që në zyrën time është një kontratë krejt tjetër. Unë, kontratën antiligjore dhe individuale që zoti Gjoka ka bërë me zotin Gjika para se unë të merrja Flamurtarin, nuk e njoh dhe nuk e paguaj.”
“Kanë pasur mënyra financimi duke paguar ekipin e Flamurtanit jashtë buxhetit, në mënyrat e tij, ka pasur trashëgimi nga diku si duket, i ka përdorur për këto”, – ka vijuar administratori i klubit vlonjat. Ndërkohë, Flamurtari është e vetmja skuadër e cila figuron me borxhe në FSHF.
Veç padive të njohura deri më tani, shumë shpejt ndaj ekipit të Vlorës po përgatiten dy padi të reja, ajo e Erjon Vucajt dhe e Arsid Krujës. Një histori që po vazhdon pambarimisht, aq sa edhe rregullorja e FSHF-së nuk e ka të parashikuar se çfarë mund të ndodhë.