AlbanianSport.com 14.01.2017 14:35
ASNN – Futbolli i luajtur ka hyrë në gjumin letargjik të ndërrimit të viteve, por kjo nuk do të thotë se “futbolli pa top” nuk vazhdon. Kështu, pasi ka festuar edhe Krishtlindjen dhe Vitin e Ri dhe, me gjakftohtësinë që ta dikton edhe moti i këtij dimri të ashpër, Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, është mbledhur për të shqyrtuar ngjarjet e javës së fundit të fazës së dytë në Superiore dhe ka marrë vendimin për të dënuar me një ndeshje pa tifozë Luftëtarin.
Vendimi është marrë në bazë të relacionit të hartuar nga zyrtarët e ndeshjes së shtëpisë me Kukësin, vendosi që “Luftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës pa shkaktuar akte dhune apo ndërprerje të përkohshme të lojës dënohet me zhvillimin e një ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe me gjobë në masën 100,000 lekësh. Padyshim që kjo ishte një goditje e rëndë kjo për skuadrën gjirokastrite.
Kjo e fundit, pavarsisht se ka treguar nivel të lartë lojë gjatë pjesës së parë të sezonit, mbështetjen e tifozëve e sheh si një armë të fortë për të siguruar sa më parë mbijetesën. Ndërkaq, Partizani dhe Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke përdorur shprehje fyese dhe duke hedhur mjete ndezëse, janë gjobitur në masën 150,000 lekë. Me të njëjtën shumë gjobiten edhe Vllaznia dhe Tirana, për shkak të hedhjeve të mjeteve ndezëse nga spektatorët e këtyre skuadrave.
Interesant është ndëshkimi i Ramadan Ndreut, trajnerit të Laçit, i cili paralajmërohet se do të jetë subjekt i Kodit të Disiplinës Sportive në rast mospjesëmarrjeje në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Në fakt Ndreu nuk është më trajner i kurbinasve, pasi në këtë pozicion është emëruar Bledar Sinella. Megjithatë, detyrimi i trajnerëve për t’iu përgjigjur medias, është diçka që duhet përshëndetur, pasi kështu funksionon e gjithë bota e futbollit modern, aty ku futbolli shqiptar aspiron të afrohet sadopak.