AlbanianSport.com 05/02/2020 17:40
ASNN – Futbollisti Goxhaj, 8 ndeshje pezullim, 2 për presidentin Kapllanaj, si dhe 50,000 lekë. Ashtu sikundër pritej, barazimi i shumëdiskutuar, 2-2, midis Bylisit dhe Vllaznisë, ka qenë në qendër të mbledhjes së të mërkurës të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Dhe ballshiotët kanë qenë ata që kanë vuajtur më tepër për reagimin e tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë fushës së blertë. Kështu, për sjellje antisportive kundrejt gjyqtarit Orlando Kuka në sfidën me Vllazninë, Disiplina vendosi të pezullojë me 8 ndeshje futbollistin e Bylisit Jurgen Goxhën.
Në shenjë proteste për anullimin e 11-metërshit në favor të Bylisit në minutat e fundit të takimit, qendërmbrojtësi i skuadrës ballshiote tentoi t’i jepte Kukës fanelën e tij. Po kështu, edhe presidenti i Bylisit Besnik Kapllanaj është pezulluar me 2 takime për gjuhë antisporitve të përdorur pas takimit Bylis-Vllaznia 2-2. Pas takimit me Vllazninë, Kapllanaj akuzoi delegatin e takimit Bujar Pregja se ishte ai që e anulloi 11-metërshin e dhënë paraprakisht ballshiotëve. Po kështu, klubi ballshiot penalizohet dhe në aspektin financiar.
Bylisi është gjobitur me 50,000 lekë për sjellje të gabuar të tifozëve të vet në stadiumin “Adush Muça” për sfidën e fundit në kampionat kundër Vllaznisë. Për të njëjtën arsye, nuk ka shpëtuar pa ndëshkim as Tirana, e cila është gjobitur në masën 100,000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve. Përveç gjobës për sjelljen e pahijshme të disa prej tifozëve të në sfidën me Teutën, e fituar 2-1 nga bardheblutë, Tirana duhet të paguajë dhe dëmet materiale të shkaktuara në stadiumin “Arena Kombëtare” brenda harkut kohor të 15 ditëve.
Në vendimet e tjera, spikat ai që skuadra e Kategorisë së Parë Devolli detyrohet të zhvillojë 4 ndeshje në stadiumin e tij pa tifozë për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve të vet në ndeshjen e fundit kundër Turbinës, e fituar nga vendasit me rezultatin 2-1. Komisioni i Disiplinës paralajmëroi edhe zyrtarin e Flamurtarit, Dritan Resuli, se do të ndëshkohet në rast përsëritjeje të thyerjes së Kodit të Disiplinës.