AlbanianSport.com 11.02.2015 18:35
ASNN – Komisioni i Disiplinës nuk ka kënaqur askënd me vendimet e marra në mbledhjen e sotme të tij. Laçi u dënua prej tij me 5 ndeshje pa spektatorë në stadiumin e tij, ndërsa Kukësit iu hodh poshtë kërkesa për të marrë 3 pikët në tavolinë. Këto ishin vendimet e shkallës së parë disiplinore në Federatën Shqiptare të Futbollit, pas ndeshjes mes dy ekipeve në Laç, ku u dëmtua mbrojtësi i kuksianëve, Dritan Smajli, për shkak të hedhjeve të sendeve të forta në fushë nga ana e tifozëve vendas.
Disiplina e bazoi vendimin në nenin 66, pika 3b, të Kodit të Drejtësisë Sportive, ndërsa kërkesën e Kukësit për 3 pikët nuk e gjeti të bazuar në këtë Kod. Smajli u godit me send të fortë dhe u transportua në Spitalin e Traumës në kryeqytet, ku bëri analizat mjekësore dhe u mbajt i shtruar për një natë. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, deklaroi pas vendimit se klubi i tij mund ta apelojë këtë vendim, por shtoi se vendimi do të merret vetëm pas këshillimit me juristët.
Disiplina, po ashtu, gjobiti me nga 100,000 lekë të reja Vllazninë e Partizanin, për sjellje të gabuar të tifozëve të tyre, përkatësisht në ndeshjet ndaj Tiranës dhe Skënderbeut. Ndërsa trajneri i Vllaznisë, Baldo Raineri, nuk mori dënim të rëndë pas kartonit të kuq, pasi ai do të jetë i pezulluar vetëm për një ndeshje. Së fundi, Disiplina vendosi ta shtyjë shqyrtimin e ankesës së bërë nga Bylisi për Kukësin, lidhur me futbollistin Piter Olajinka.