AlbanianSport.com 29.10.2015 07:55
ASNN – Mosgjetja e gjuhës së përbashkët midis Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit rrezikon ndërprerjen e punimeve dhe vonesën e përfundimit të Stadiumit të ri të këtij qyteti. Në një vizitë pune në këtë qytet, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, i cili mbulon infrastrukturën sportive, ka sqaruar keqkuptimet që kanë lindur mbi kushtet e këtij bashkëpunimi, si dhe çështjen e mirëmbajtjes dhe afatit kohor të marrëveshjes.
Stadiumi i Shkodrës rrezikon ndërprerjen e punimeve për shkak të mosarritjes së marrëveshjes midis Bashkisë së këtij qyteti dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Alarmin për këtë e ka dhënë anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Arben Dervishaj, i cili mbulon infrastrukturën sportive. Dervishaj ka sqaruar edhe keqkuptimet që kanë lindur mbi kushtet e kësaj marrëveshjeje.
Sipas Arben Dervishajt, ky stadium ka mbetur peng i Këshillit Bashkiak që nuk vendos për firmosjen e kontratës edhe pse kjo ndodhet në zyrat e Bashkisë prej 2 muajsh. Kjo pengon edhe fondin e përcaktuar nga UEFA. “UEFA nuk jep asnjë fond, për sa kohë nuk ka një marrëveshje mes FSHF dhe Bashkisë Shkodër dhe ne kemi ardhur këtu për ta zgjidhur”, – ka thënë ai.
Firmosja e kontratës nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka shtyrë shumë në kohë përfundimin e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”. Pretendimet mbi menaxhimin dhe të ardhurat, por edhe mbi kostot e mirëmbajtjes kanë ngadalësuar punimet në impiantin e parashikuar për t’u inaguruar në muajin nëntor.
Në momentin e zgjidhjes së këtij ngërçi pritet që punimet në stadiumin “Loro Boriçi” të përfundojnë maksimumi në fillim të vitit 2016. Po kështu, zyrtari i FSHF-së ka sqaruar edhe çështjen e mirëmbajtjes dhe afatit kohor të marrëveshjes. Sipas Dervishajt, Stadiumi i Shkodrës pritet të përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm.