AlbanianSport.com 05.05.2016 16:15
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka dënuar dhunën në derbin e kryeqytetit, duke kërkuar që ajo të ndëshkohet nga komisionet përkatëse disiplinore. Në komunikatën e saj për shtyp, FSHF i quajti ngjarjet e ndeshjes Tirana-Partizani si të rënda dhe që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin dhe me lojën e ndershme.
Federata i kërkon Komisionit të Disiplinës, dhe nëse do të jetë e nevojshme, edhe Komisionit të Apelit, që të zbatojnë rregulloren në mënyrë rigoroze dhe të ndëshkojë fajtorët. Gjithashtu, nga ana e Federatës u kërkohet klubeve që të punojnë me tifozët e tyre, të bashkëpunojnë dhe të marrin masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Kështu, pas reagimit të të dy klubeve përkatëse, Tiranës dhe Partizanit, ka reaguar edhe FSHF-ja nëpërmjet një komunikate për shtyp, ku dënon dhunën dhe ka kërkuar nga komisionet përkatëse që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren për shkaktarët e ngjarjeve të tilla që i ulin vlerat futbollit.
Ja komunikata e plotë për shtyp e FSHF-së:
Federata Shqiptare e Futbollit, dënon ashpër dhunën e ushtruar pas përfundimit të ndeshjes së javës së 33-të të Kategorisë Superiore të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, Tirana-Partizani, të zhvilluar mbrëmë në Stadiumin “Selman Stërmasi”.
Duke e konsideruar të rëndë një ngjarje të tillë, e cila nuk ka asnjë lidhje me lojën e futbollit dhe frymën e “Fair Play”, ajo i tërheq vëmendjen klubeve për të marrë masa që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Gjithashtu ajo kërkon të sensibilizojë opinionin futbolldashës shqiptar, se acarimi i situatës përpara ndeshjeve të rëndësishme (sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje derbi), krijon tension dhe mund të prodhojë akte të dhunshme ashtu siç ndodhi mbrëmë.
Federata Shqiptare e Futbollit u kërkon komisioneve përkatëse, që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregulloren për shkaktarët e ngjarjeve të tilla, të cilët kanë lidhje me futbollin.
Nga ana e tyre, vetë klubet duhet të punojnë sa më shumë me tifozeritë dhe stafet e tyre që ngjarje të tilla të mos përsëriten. Dhe kjo, nuk bëhet në një ditë, por duke bashkëpunuar vazhdimisht.
Federata Shqiptare e Futbollit