AlbanianSport.com 28/11/2018 18:55
ASNN – Kristian Panuçi është konfirmuar tashmë në krye të Kombëtares dhe kjo në mënyrë të përsëritur nga shumica e zyrtarëve të lartë të FSHF-së, përfshi dhe presidentin Armand Duka në më shumë se një rast në daljet e tij në media.
Por lajme të ndryshme në mediat elektronike kanë hedhur dyshime mbi këtë variant dhe këto qëndrime dhe kanë spekuluar për përfshirjen e organizmit që qeveris futbollin shqiptar në gjetjen e një trajneri të ri.
Këto qëndrime duket se kanë bërë “me hije” Federatën, e cila doli të mërkurën me një deklaratë për mediat ku konfirmon edhe zyrtarisht bashkëpunimin me trajnerin italian të Kombëtares kuqezi.
“Nisur nga disa spekulime dhe lajme abuzive që kanë qarkulluar në disa media orët e fundit, Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’iu informojë se nuk është aspak e vërtetë që jemi në kërkim të një trajneri të ri për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit”, -thuhet në njoftim.
“FSHF është duke punuar dhe bashkëpunuar maksimalisht me trajnerin Panuçi për të arritur rezultate sa më të larta në Eliminatoret për Kampionatin Evropian 2020”, – përfundon njoftimi në fjalë.