AlbanianSport.com 07/03/2024 20:55
ASNN – Premton të jetë e veçantë dhe, për këtë arsye, edhe e jashtëzakonshme, edhe për arsyen e thjeshtë se premton të braktisë “vendin e shenjtë”, stadiumin, për t’u hedhur, në kuptimin e vërtetë të fjalës, në lumë. Kjo sepse veremonia e hapjes së Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do të prishë traditën e deritanishme, duke u zhvilluar në lumin Senë.
Në fakt, organizatorët e Lojërave të ardhshme Olimpike i kanë zvogëluar planet e tyre për paradën në ujë, me spektatortë që dikur përllogariteshin deri në dy milionë njerëz, përballë rezistencës nga shërbimet franceze të sigurisë dhe shqetësimeve për sulmet terroriste. Por ende pritet të thyejë rekorde për nga madhësia, në krahasim me të gjitha ceremonitë e mëparshme të hapjes që janë zhvilluar në stadiume.
“Do të jenë 104,000 spektatorë në bregun e poshtëm që kanë paguar një biletë, – ka deklaruar të enjten Ministri francez i Mbrojtjes, Darmanën, – ndërsa 200,000 të tjerë do ta ndjekin paradën në hapësirat publike nga ndërtesat që shohin lumin Senë, me 50,000 të tjerë në zonat e tifozëve në kryeqytet. Ceremonia me varkat është në përputhje me premtimet për ta bërë Olimpiadën e Parisit “ikonë”.
Kjo sepse Komiteti Organizativ është i prirur për të prishur traditat e kaluara në mënyrën se si organizohen ngjarjet më të madhe sportive në botë. Do të jenë 180 mjete lundrimi që do të lundrojnë rreth 6 kilometra përgjatë lumit Senë, nga të cilat 94 do të transportojnë atletët. Masa të veçanta sigurie do të konsideroheshin për delegacionet me rrezik të lartë si ato nga SHBA ose Izraeli.
Rreth një milion njerëz janë vendosur të kontrollohen paraprakisht nga forcat franceze të sigurisë për rreziqet e mundshme të sigurisë, duke përfshirë atletët, gazetarët, rojet private të sigurisë dhe njerëzit që jetojnë afër infrastrukturës kryesore. Lojërat e ardhshme Olimpike “Paris 2024”, do të zhvillohen nga 26 korriku, deri më 11 gusht në ose përreth kryeqytetit francez.