Adriatik Balla 11.06.2015 17:05
Maksim Gonalon pritet të jetë një prej lojtarëve që do të luajnë titullar ndaj Shqipërisë. Mesfushori i Lionit, i pyetur për sfidën e së shtunës në “Elbasan Arena”, theksoi se Franca do të bëjë maksimumin për të fituar dhe për të bërë një lojë të mirë, pas paraqitjes zhgënjyese ndaj Belgjikës. “Me Belgjikën nuk luajtëm mirë dhe tashmë ndaj Shqipërisë duhet të tregojmë të gjithë forcën tonë për të përmirësuar dhe imazhin e krijuar pas humbjes së “Saint Denis”, – ka deklaruar ai. – Trajneri kërkon që skuadra të reagojë dhe besojmë se do t’i përgjigjemi thirrjes së tij.” Për mesfushorin e Lionit, i cili deri tani ka luajtur vetëm 6 ndeshje me përfaqësuesen franceze, është një kënaqësi që të luajë për “Gjelat” në ndeshjen me Shqipërinë. “Për mua është një nder që jam grumbulluar nga Deshomp, – ka pohuar Gonalon. – Besimin që më ka dhënë trajneri do të përpiqem ta përligj maksimalisht. Nuk është e lehtë të gjesh hapësira në këtë përfaqësuese, ndaj sa herë që krijohet mundësia duhet të japësh maksimumin për skuadrën.” Deshompi do të ketë të gatshëm për ndeshjen me Shqipërinë dhe Pogbanë dhe Evranë, që nuk ishin në ndeshjen me Belgjikën për shkak të finales së Ligës së Kampioneve.