AlbanianSport.com 17.06.2015 13:20
ASNN – Superiorja e edicionit të ardhshëm pritet të jetë një kampionat shumë i fortë në të gjitha drejtimet, sepse klubet po bëjnë blerje të forta e cilësore, por në të njëjtën kohë po rivalizojnë fuqishëm me njëra-tjetrën në merkato, duke e bërë këtë periudhë shitblerjesh verore të futbollistëve mjaft tërheqëse.
Pothuajse të gjitha klubet kanë hartuar listat e tyre me lojtarët e dëshiruar, por Partizani dhe Skënderbeu po bëjnë diferencë me lëvizjet e tyre, pasi kanë mundur të firmosin me lojtarë të rëndësishëm. Natyrisht, lëvizjet e tyre diktohen nga pjesëmarrja në Kupat e Evropës, ku të dyja skuadrat kanë ambicie për kalimin e më shumë se një turi.
Megjithatë, rivaliteti më i spikatur tani për tani është në kryeqytet, midis dy klubeve rivale, Partizanit e Tiranës, të cilët po zhvillojnë një derbi edhe në merkato. Rasti i fundit është rivaliteti i tyre për të marrë shërbimet e mbrojtësit vlonjat, Franc Veliut, një futbollist i ekipit kombëtar, me vlera dhe i larguar nga klubi kuqezi i Vlorës për shkak të raporteve të vështira me drejtuesit.
Partizani ka më shumë shanse të marrë mbrojtësin kuqezi, sepse skuadra e presidentit Gazmend Demi luan në Ligën e Evropës, një mundësi për lojtarët e kampionatit shqiptar.