AlbanianSport.com 19.09.2015 08:55
ASNN – Autoritetet në Shqipëri po përgatiten që ndeshja mes Shqipëri-Serbi më 8 tetor 2015 të kalojë sa më qetë. Apelet për vetëpërmbajtje kanë qenë të vazhdueshme nga Federata Shqiptare e Futbollit, që kjo sfidë të shikohet si një veprimtari sportive dhe asgjë më shumë, pasi është në interesin e të gjithëve që Kombëtarja të kualifikohet në finalet e “Euro 2016”-s.
Këto këshilla janë pasqyruar edhe në mediat botërore ku rrjeti prestigjioz “FOX Sport” e ka përmendur këtë fakt duke cituar një shkrim të agjencisë e njohur “Associated Press”. Frika e incidenteve ka shtyrë të gjithë që të kërkojnë “fair play”, që të mos ketë probleme si ato në Beograd, madje kjo do të jetë e shkruar edhe në biletat që do të kenë në dorë mbi 12,500 të pranishmit në stadium.
“Pritet që rendi të ruhet nga rreth 1 mijë forca sigurie më 8 tetor 2015 në Stadiumin “Elbasan Arena”, – shkruan rrjeti në fjalë në raportimin e tij. – Një provë u bë në përballjen me Portugalinë ku masat ishin tepër të rrepta. Shqipëria është në kërkim të kualifikimit, për herë të parë në historinë e saj, për në fazën finale të një Kampionatin Evropian.”
Kuqezinjtë kanë 11 pikë, 1 më pak se Danimarka e vendit të dytë, që në të njëjtën ditë do të luajë ndaj Portugalisë në Lisbonë. Një fitore e përfaqësueses shqiptare e kombinuar një dështim ose barazim i asaj daneze do t’i siguronte Kombëtares së drejtuar nga Xhovani De Biazi në vend në finalet e Evropianit pa luajtur ndeshjen e fundit me Armeninë.