Marrë nga TV Klan 10.11.2016 21:20
Që prej orës 16: 00 të se enjtes patrulla të policisë u vendosën përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe segmentin që të çon në aeroportin e Rinasit në pritje të skuadrës izraelite e cila të shtunën do të përballet me kombëtaren shqiptare në “Elbasan Arena”. Frika e sulmeve terroriste bëri që Policia e Shtetit të marrë masa tepër të rrepta sigurie për mbërritjen e ekipit izraelit dhe stafit që e shoqëron.
Efektivë të repartit “Shqiponja” dhe qen anti-eksplozivë patrulluan përgjatë gjithë kohës rrethimin e aeroportit derisa avioni me kombëtaren izraelite u ul në pistën e tij rreth orës 18:00 të pasdites. Lojtarët dhe stafi u shoqëruan me pas me dy autobusë drejt kryeqytetit, të ndjekur gjatë gjithë kohës nga forcat e sigurisë dhe agjentët izraelitë.
Rruga e Durrësit, Sheshi “Skënderbej” dhe akset përreth tij u bllokuan nga policia dhe forcat RENEA që blinduan praktikisht të gjithë zonën përreth hotelit ku u akomodua kombëtarja izraelite në qendër të kryeqytetit.
Përveç agjentëve civilë në patrullim janë edhe forca të pajisura me armë automatike. Të gjitha automjetet që hyjnë në hotelin ku qëndron kombëtarja izraelite i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Skuadra izraelite ka programuar një seancë stërvitore të premten në orën 18:00 në Elbasan Arena. Ky stadium është nën vëzhgimin e policisë prej ditës kur u vendos që takimi të mos luhej në “Loro Boriçi”, siç ishte programuar.
Gjatë 3 ditëve të qëndrimit të ekipit Izraelit në Shqipëri disa rrugë në qendër të kryeqytetit dhe aksi Tiranë-Elbasan do të jetë me trafik të kufizuar dhe nën mbikëqyrjen e rreptë të forcave të sigurisë pas sinjalizime për sulme të mundshme terroriste. Masat e sigurisë në ditën e zhvillimit të ndeshjes pritet të jenë edhe më të forta se ato të përballjes Shqipëri-Serbi.