AlbanianSport.com 20/01/2019 13:50
ASNN – Djali i Mikael Shumakerit, Mik Shumaker, do të jetë edhe zyrtarisht pjesë e akademisë së “Ferrarit”, skuadrës së famshme italiane të automobilizmit. Ishte vetë shkolla e pilotëve në “Maranelo” që konfirmoi këtë lajm të rëndësishëm, duke bërë të ditur se djaloshi 20-vjeçar do të jetë kështu në gjurmët e babait të tij, legjendës së Formula 1.
Mikael Shumaker është 7-herë kampion i botës në këtë sport, prej të cilëve 5 tituj i ka fituar me “kokëkuqen” italiane. Djali i Shumakerit, Miki, u shpall “kampion” sezonin e kaluar në Formula 3 dhe si rregull do të garojë këtë edicion në Formula 2. “Unë ndihem shumë i lumtur me marrëveshjen që kam arritur me “Ferrarin” dhe që tani jam pjesë e “Ferrari Driver Academy””, – tha ai.
“Duke u bërë kështu pjesë e kësaj familjeje të madhe të automobilizmit”, – u shpreh djaloshi i talentuar gjerman, i cili shpreson të ecë në gjurmët e babait të tij, Mikael Shumaker. Në fakt, ka pikëpyetje në lidhje me aktivizimin e djaloshit në skuderinë kryesore, por këtë edicion ai mund të bëjë gara në Formula 2, para se të bëhet pjesë thelbësore e projektit kryesor të skuderisë italiane në Formula 1.
Sa i takon babait të tij, Mikael Shumakerit, mediat gjermane shkruajnë se ai ka përmirësim të shëndetit, madje lëviz pa ndihmën e mjekëve, por ende familja mban sekret çdo gjë që lidhet me shëndetin e tij.