AlbanianSport.com 11/08/2021 20:15
ASNN – Ish-“Ferrari”-sti: ”Mikael dhe Miku, synime të njëjta por në kushte të ndryshme”. “Falë punës së mjekëve dhe pranisë së Korinës, që këmbënguli që ai të mbijetonte, Mikaeli vazhdon të jetojë, por po vuan ende pasojat e aksidentit me të cilat vazhdon të luftojë. Shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet pak nga pak.” Këto janë fjalët e thëna nga Zhan Todt për të përditshmen “Sport Bild”. Midis të tjerash, ish-drejtori i “Ferrari”-t ka folur për gjendjen e Mikael Shumakerit dhe marrëdhëniet e tij me familjen e 7-herë kampionit të botës në Formula 1.
“Korina nuk e priste kurrë një gjë të tillë, – thotë francezi. – Gjithçka ndodhi papritur dhe nuk kishte zgjidhje tjetër. Megjithatë ajo po ia del shumë mirë. Kemi besim te njëri-tjetri.” Me këto fjalë, Todti ka shprehur admirimin për bashkëshorten e Mikaelit dhe për gjithë familjen Shumaker, kur kanë kanë kaluar 7 vite e 8 muaj nga aksidenti në pistën e skive në Meribel. Todti ka folur edhe për Mikun, djalin e Mikaelit, i cili hëpërhë po garon në Formula 1 me skuadrën e “Haas”-it, që përdor një motor të “Ferrari”-t.
“Miku është një nga personat që do të ketë gjithnjë një vend special në zemrën time dhe të bashkëshortes time, Mishelë, – thotë kreu i Federatës Botërore të Automobilizmit (FIA). – E gjithë familja Shumaker është shumë speciale për ne. Së bashku me Mikaelin kemi bërë historinë dhe kemi ndërtuar një marrëdhënie të mrekullueshme familjare.” Përsa i përket Mikut, Todti thotë: “Miku ka patur mundësinë të marrë në edukatë të jashtëzakonshme. Natyrisht që në venat e Mikaelit dhe Mikut kalon i njëjti gjak, kanë të njëjtat synime, por kushtet që kanë gjetur për t’i përballuar sfidat janë shumë të ndryshme”.