AlbanianSport.com 29/08/2021 21:00
ASNN – Shenjat ishin dhënë që 24 orë përpara, kur edhe provat zyrtare ishin shndërruar në një maratonë dhe kështu ka ndodhur edhe të dielën, kur shiu ka penguar makinat të zbresin në pistën e Belgjikës. Tre orë e 17 minuta pritje në përmirësim të kushteve atmosferike, vetëm për të përjetuar në një Çmim të Madh, ku makinat e garës zhvilluan vetëm dy xhiro nën regjimin e makinës së sigurisë. 75 mijë spektatorë në pritje të fillimit të garës, duke shpërfillur reshjet e vazhdueshme të shiut.
E në kushtet e moskonkurrimit, sipas një vendimi të marrë nga drejtori i garës, Majkëll Masi, gara e Belgjikës quhet e kryer, duke u dhënë pilotëve gjysmat e pikëve dhe duke i vlerësuar praktikisht sipas renditjes së arritur në provat zyrtare të së shtunës. Gara ishte parashikuar të niste në orën 15:00, por si pasojë e reshjeve të shumta, shtyhet e shtyhet vazhdimisht, pasi pista është tepër e lagur dhe e pamundur që makinat të garojnë. Makina e Sigurisë dhe ajo e mjekëve zbret disa herë në pistën e Spàsë për ta kontrolluar.
Por asnjëherë nuk jepet miratimi për garim. Sipas rregullores, pas 3 orësh pritjeje, makinat e garës bëjnë vetëm dy xhiro në pistë nën regjimin e makinës së sigurisë dhe më pas kthehen në garazhe. Pilotët dalin nga makinat e tyre dhe gara quhet e përfunduar. Maks Verstappen është kësisoj fitues i Çmimit të Madh të Belgjikës, ndërsa ka një vend në podium, për herë të parë, edhe për Xhorxh Rasëllin, por edhe Ljuis Hemiltonin dukshëm të pakënaqur. Pas kësaj gare, diferenca në pikë midis Hemiltonit dhe Verstapenit shkon në 3 pikë. Britaniku ka 202.5 pikë ndërsa holandezi 199.5.