AlbanianSport.com 25/09/2019 22:00
ASNN – Piloti holandez pranon zhgënjimin përtej podiumit, kërkon kthesë nga skuadra. Kështu, Maks Verstapeni nuk ka qenë i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, pavarësisht një vendi në podium në Singapor. “Do të thoja që padyshim është një alarm për t’u zgjuar nga gjumi”, – ka theksuar ai, ndërsa kërkon kthesë nga skuadra për garat e mbetura të Formulës 1. Singapori supozohej të ishte një garë ku “Red Bull”-i kishte ndjesinë se mund të luftonte për një fitore, por në fund nuk pati asnjë përgjigje kundrejt ritmit të papritur fitues të “Ferrari”-t nëpër rrugët e “Marina Bej”-it.
Pika më e fortë e makinës “RB15” është qëndrueshmëria në pistë dhe kjo ishte arsyeja pse “Red Bull”-i pritej të sfidonte për fitoren në Singapor. Por Maks Verstapeni dhe Aleksandër Alboni nuk shkuan dot më larg se përkatësisht vendi i 4-t dhe i 6-të në provat zyrtare, ndërsa në garë, aty ku një strategji e ndihmoi holandezin drejt vendit të 3-të, skuadra austriake nuk ishte për asnjë çast në betejë për fitoren. “Nuk ishte aq mirë sa ç’duhej”, – tha Verstapeni, duke vijuar: “Erdhëm këtu për të fituar dhe thjesht nuk e bëmë.”
“E shtuna ishte më keq se e diela, por do të thoja që padyshim është një alarm për t’u zgjuar nga kjo kllapi, – ka vijuar ai. – Që nga Austria, kjo mund të jetë gara jonë më e keqe sa i përket paraqitjes, aty ku ne prisnim të ishim mjaft mirë. Unë i kam ca ide se pse nuk na shkoi mirë dhe ne do t’i analizojmë të gjitha ato dhe të shohim se çfarë mund të përmirësojmë në Soçi. Modeli i pistës atje nuk është më i përsosuri për ne, por aty mund të shohësh nëse makina punon mirë nëpër kthesa. Në Singapor, në shumicën e kthesave, makina nuk punoi ashtu siç do të dëshiroja.”
“Tani do të kthehemi në shtëpi dhe të shohim se çfarë mund të bëjmë më mirë”, – shtoi ai. Sidoqoftë, holandezi ishte prapëseprapë i lumtur që rikthehet në podium, që ishte i 6-ti për të këtë sezon, por i pari nga Çmimi i Madh i Hungarisë. Verstapeni tanimë ka zbritur në vendin e 4-t në renditjen e përgjithshme të pilotëve të Formulës 1, ndonëse është me pikë të barabarta, 200, me Sharl Lëklerkun e Ferrarit, ndërsa 6 pikë më prapa është Sebastian Feteli. Ndërsa në renditjen e përgjithshme të konstruktorëve, “Red Bull”-i ka mbetur edhe më prapa “Ferrari”-t, teksa hendeku është thelluar në 105 pikë, teksa në lojë kanë mbetur vetëm 258 pikë.