AlbanianSport.com 12/11/2018 15:00
ASNN – Janë përplasur me njëri-tjetrin në pistë dhe kanë vijuar të përplasen fizikisht edhe pas përfundimit të garës. E ndërsa Sebastian Okoni u ndëshkua me një ndalesë 10-sekondëshe gjatë garës së të dielës në Brazil në Formula 1, Maks Verstapeni ka marrë një tjetër ndëshkim për episodin pas saj. Piloti i “Red Bull”-it është dënuar me dy ditë “shërbim publik”, të cilat ai duhet t’i kryejë brenda 6 muajve të ardhshëm.
I ka kushtuar një ndëshkim me dy ditë “shërbim publik” Maks Verstapenit reagimi kundrejt Sebastian Okonit, pas garës së të dielës në Brazil. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Federata Botërore e Automobilizmit, e cila ka reaguar pas incidentit midis pilotit holandez të “Red Bull”-it dhe atij meksikan të “Force India”-s. Në këtë incident, 19-vjeçari shkoi dhe e kërkoi dhe u afrua tek homologu i tij e filloi të debatonte me të.
Debati degjeneroi në shtyrje nga ana e Versapenit, ndërsa 22-vjeçari Okoni e ruajti qetësinë gjatë gjithë kësaj përplasjeje. Të dy pilotët kanë dalë para autoriteteve disiplinore të FIA-s dhe, pas dëgjimit të të dyja palëve dhe analizimit të pamjeve të episodit, është vendosur ndëshkimi i pilotit të “Red Bull”-it me dy ditë “shërbim publik”, të cilat ai duhet t’i kryejë brenda 6 muajve të ardhshëm.
Përplasja fizike e dy pilotëve erdhi pas incidentit të xhiros së 44-t në pistën e Interlagosit të dielën, kur Verstapeni, i cili po kryesonte garën, u godit nga Okoni. Në fakt, holandezi po e parakalonte meksikanin, i cili nuk i hapi rrugë, duke e nxjerrë makinën e “Red Bull”-it nga pista, çka i kushtoi Verstapenit fitoren. Okoni u ndëshkua me një dënim prej 10 sekondash gjatë garës, ndërsa pas akuzave të ndërsjella në intervistat për mediat, erdhi edhe përplasja fizike.