AlbanianSport.com 04/09/2021 20:55
ASNN – Maks Verstapen do të niset nga vendi i parë në garën e Çmimit të Madh të Holandës. Piloti holandez vendosi kohë rekord në fund të sesionit të 3-të të provave zyrtare, duke lënë pas Ljuis Hemiltonin. Me një xhiro rekord dhe i përkrahur nga mijëra tifozë të pranishëm në pistën e Zandvo’ortit, Verstapeni ka siguruar nisjen nga vendi i parë. 1 minutë, 8 sekonda e 885 të mijëtat ka qenë koha e arritur nga piloti holandez, që është vetëm 38 të mijëtat më pak se Hemiltoni që do të niset nga vendi i dytë.
Duket se edhe në këtë garë, të dielën, në Çmimin e Madh të Holandës, rivaliteti midis dy pilotëve të kreut të renditjes, Verstapen dhe Hemilton do të jetë dominues. Nga vendi i 3-të do të niset piloti tjetër i “Mercedes”-it, Valteri Botas, i ndjekur nga Pjer Gasli. Dy pilotët e “Ferrari”-t, Lëklerk dhe Sainz janë në vijën e 3-të të nisjes, përkatësisht në vendin e 5-të dhe të 6-të. Dhjetëshen e më të mirëve e mbyllin, Xhovinaci, Okon, Alonso dhe Riçiardo. Por edhe këtë radhë, në dy sesionet e para të provave ndodhën dy aksidente.
Ato bënë që flamuri i kuq të ndërpriste vazhdimësinë e konkurrimit të pilotëve në pistë. Fillimisht ishte Xhorxh Rasëll dhe më pas Nikolas Latifi. Të dy pilotët dalin nga pista duke sjellë papastërti në pistë. Ndërsa lajmi i keq vjen për skuadrën e “Red Bull”-it, kur piloti i saj, Serxhio Perez skualifikohet që në sesionin e parë të provave. Sigurisht që si gjithnjë, nuk mungoi spektakli në radhët e tifozëve holandezë, ndërsa piloti i tyre i preferuar do të përballet kështu me sfidën e dyfishtë në nisje nga dy pilotët e rivales “Mercedes”.