AlbanianSport.com 02/09/2021 20:55
ASNN – “Mercedes”-i ka zgjedhur Xhorxh Rasëllin si pilotin e të ardhmes. Është Toto Volf ai që ka vendosur që piloti britanik t’i bashkohet Ljuis Hemiltonit për sezonin e vitit 2022. Ky vendim nuk ka kënaqur aspak 7-herë “kampionin e botës”, i cili kishte kërkuar që Botas të ishte partneri i tij edhe për sezonin e ardhshëm. “Mercedes” do të emërojë pilotin britanik, Xhorxh Rasëll, si pilotin e tyre për 2022. E duket se Ljuis Hemiltonit nuk i ka pëlqyer kjo lëvizje e skuadrës së tij.
Pasi ai që në fillim ka kërkuar nga drejtuesit e “Mercedes”-it që ta ketë sërish partner Valteri Botas edhe për sezonin e ardhshëm. 7-herë “kampioni i botës” e ka shprehur disa herë se është mjaft i kënaqur nga bashkëpunimi me finlandezin. 36-vjeçari, ka folur vazhdimisht për preferencën e tij për të qëndruar me Botasin në skuadër. “Valteri është shoku më i mirë i ekipit që kam pasur ndonjëherë”, – ka deklaruar herë pas herë Ljuis Hemilton.
“Unë nënkuptoj jo vetëm paraqitjen, por edhe moralin në ekip dhe mënyrën se si ne punojmë së bashku”, – pati deklaruar Hemiltoni. Piloti britanik kishte shpresuar të zgjaste partneritetin e tij prej 5 sezonesh me Valteri Botasin, por drejtuesi i ekipit Toto Volf ka marrë vendimin për t’i dhënë vendin 23-vjeçarit Rasëll, duke formuar kështu për vitin 2022 një dyshe pilotësh britanikë. Ky vendim u mor nga “Mercedes”, menjëherë pasi Kimi Raikonen, “kampion bote” në Formula 1 në 2007, tashmë 41 vjeç, vendosi të largohet nga konkurrimi në fund të vitit.
Kjo lëvizje krijon një vend bosh te “Alfa Romeo”, në të cilën Volfi dëshiron të dërgojë Botasin. Rasëlli është një pilot krejt i ndryshëm nga finlandezi i qetë. Ai jo vetëm që është i shpejtë, por po bëhet gjithnjë e më popullor nga publiku britanik.