AlbanianSport.com 21/05/2019 22:00
ASNN – Ato janë pista, roli i pilotit, arena e legjendave, kalendari i veçantë dhe aspekti shoqëror. Çmimi i Madh i Montekarlos spikat për 5 arsye dhe, e para është që vetë pista është e jashtëzakonshme. Sa u përket arsyeve të tjera, ato janë roli i pilotit, arena e legjendave, kalendari i veçantë dhe aspekti shoqëror. Botërori i Formulës 1 zhvendoset këtë fundjavë në një nga pistat më të spikatura dhe më të veçanta të historisë së saj, pasi radhën e ka Çmimi i Madh i Montekarlos.
Në fakt, e gjithë kjo garë spikat për 5 arsye dhe, e para është që vetë pista është e jashtëzakonshme. Vetëm ideja e një makine të Formula 1 që gjarpëron me shpejtësi poshtë “Hotel de Paris” dhe Kazinosë, nëpër tunelin e famshëm dhe pastaj përgjatë bregut të gjirit mahnitës, mjafton për të ndezur imagjinatën. Shtoni këtu 20 makina njëkohësisht në pistë dhe rezultati është një spektakël i vërtetë. Pista e Principatës mund të mos i lejojë pilotët të arrijnë shpejtësi maksimale.
Por afërsia me muret e saj u krijon pilotëve ndjesinë e ngushtësisë dhe rrit tensionin e tyre. Së dyti, por ajo që besojmë se është më e rëndësishme, është fakti se ai që e bën dallimin në këtë pistë është vetë piloti. Në një garë ku parakalimi është thuajse tabu, janë instinktet e pilotit që bëjnë dallimin, më shumë se kudo tjetër, e marrëzisë nga madhështia. Makina luan një rol të madh, por është piloti ai që ia del të bëjë një parakalim të paimagjinueshëm ose, përndryshe, një aksident të pashmangshëm.
Së treti, Montekarlo është një nga garat më legjendare të Formulës 1, sepse është vendi ku legjendat e këtij sporti kanë vënë veten në provë. Kur mendon për Montekarlon, në mendje të vjen Ajrton Sena me 6 fitore, Majkëll Shumakeri dhe Graham Hilli me nga 5, por edhe Alen Prosti, Xheki Stjuart, Huan Manuel Fanxhio, Niki Lauda, por edhe më të rinjtë, të tillë si Fernando Alonso, Ljuis Hemiltoni dhe Sebastian Feteli.
Ndryshe nga të gjitha garat e tjera, ajo e Montekarlos nis një ditë më herët, me ditën e medias të mërkurën dhe dy seancat e provave të lira të enjten, ndërsa e premtja është pushim. Kjo e rrit më tepër ankthin dhe pritjen për provat zyrtare të së shtunës dhe garës së të dielës. Natyrisht, aspekti i 5-të dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishmi është ai shoqëror, sepse gara e Montekarlos është vendi ku nuk duhet të mungojë gjithkush që mendon se është dikush.