AlbanianSport.com 07/04/2020 23:30
ASNN – Shtyhet edhe gara e 9-të e kalendarit fillestar të Formulës 1. Kështu, sezoni i ri i Formulës 1, që nuk ka nisur ende, ka marrë një tjetër goditje të martën në mbrëmje. Kjo për arsye se për shkak të epidemisë globale të koronavirusit, është shtyrë gara e parashikuar të mbahet në Kanada. Gara e Montrealit është bërë e 9-ta që është shtyrë apo anuluar në edicionin e vitit 2020.
Gara e Çmimit të Madh të Kanadasë supozohej të mbahej në fundjavën e 14 qershorit 2020, por organizatorët janë detyruar të marrin vendim tani për shkak të kohës që duhet për të përgatitur pistën. Sipas rrjetit prestigjioz britanik, BBC, do të bëhen përpjekje për të gjetur kohën të përshtatshme për ta organizuar këtë garë. Kështu, po shpresohet për të gjetur një hapësirë më vonë gjatë verë.
“Për momentin është thelbësore që të gjitha energjitë tona të mblidhen për të kapërcyer pandeminë “Covid-19”, -ka thënë drejtuesi i organizmit që qeveris këtë garë, Fransua Dumontie. – Do t’ju presim me duar hapur në pistën “Zhill Vilnëv” sa më shpejt që të jetë e sigurt për të bërë një gjë të tillë.” Tanimë, gara e parë e Formula 1 që nuk është anuluar ende apo nuk është shtyrë, mbetet ajo e Çmimit të të Madh të Francës.
Ajo është planifikuar të mbahet më 26 qershor 2020. Por është e paqartë se kur mund të filloj edicioni për shkak të epidemisë, teksa, sikundër thuajse të gjitha sportet e tjera, Formula 1 është goditur rëndë nga kriza e krijuar nga koronavirusi. Formula 1 po përballet me një krizë financiare në vitin 2020 por edhe me mundësinë e humbjes së plotë të të ardhurave, nëse sezoni nuk zhvillohet fare.