AlbanianSport.com 14/01/2021 16:25
ASNN – Mik Shumakeri do të garojë me skuadrën e “Haas”-it në Botërorin e 2021-shit në Formula 1. Dhe, për shefin e kësaj skuadre, Shtajner, është një nder, por edhe presion i madh, rikthimi i emrit Shumaker në Formula 1. “Rikthimi i emrit Shumaker në Formula 1 në 2021, përmes kampionit të Formulës 2, Mikit, është një nder për “Haas”-in, por gjithashtu sjell shumë presion”, – thotë shefi i ekipit, Gynther Shtajner.
Shumakeri i ri do të garojë në Formula 1 këtë sezon, pasi fitoi titullin e vitit të kaluar në nivelin e dytë, duke u bashkuar me ekipin e “Haas”-it me shokun e tij të ri, rusin Nikita Mazepin. Mik Shumaker është djali i 7-herë “kampionit të botës” në Formula 1, Mikael Shumaker dhe vjen në këtë kategori, 9 vjet pas largimit të babait të tij nga motorsporti.
Shefi i skuadrës së “Haas F1”, Shtajner, tha se ishte një nder për ekipin të luante një rol në “diplomimin” e Shumakerit të ri dhe kthimin e emrit të familjes në Formula 1. “Emri Shumaker, përmes Mikalit, është një legjendë në Formula 1, – i tha Shtajneri faqes së profilizuar, Motorsport.com. – Të marrësh djalin e tij në skuadër, është fantastike, është një nder për ne por gjithashtu mbi të do të ketë shumë presion.”
“Kur Mikaeli garonte vetë, krijonte një atmosferë të veçantë, e tani ne shpresojmë ta krijojmë këtë me djalin e tij në ekipin tonë”, – ka shtuar kreu i skuadrës amerikane. Mik Shumakeri është një anëtar i Akademisë së pilotëve të “Ferrari”-t. Gjermani u bashkua me “Haas”-in, duke treguar lidhjet e ngushta të vendosura midis këtyre dy skuadrave të Formulës 1.