AlbanianSport.com 27/01/2021 17:55
ASNN – Sainzi dhe Lëklerku kanë kryer testet e para me “Ferrari”-n për vitin 2021. Të dy pilotët prej ditësh ndodhen në fabrikën e Maranelos për të ndjekur ecurinë e makinës së re të garës. Ndërsa në Fiorano, ata kanë bërë nga 100 xhiro me makinën “Ferrari” të vitit 2018. Ditët e para të kësaj jave, kanë qenë të ngarkuara për të dy pilotët e Ferrarit, Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz. Orë të gjata në fabrikë me inxhinierët, duke parë çdo detaj të makinës së kuqe, për të bërë më pas kilometrat e para në timonin e “Ferrari”-t për vitin 2021.
E mërkura ka qenë një ditë e veçantë për Karlos Sainzin, që nga ardhja e tij në Maranelo. Ai ka mundur të kryejë xhirot e para me një makinë “Ferrari” zyrtare. Duke treguar më pas se sa emocionale dhe romantike është të drejtosh një makinë të prodhuesit më legjendar të makinave në Formula 1. Ky ishte testi i parë i pilotit madrilen me një “Ferrari”, ndërsa mezi pret provat e para sezonale në mars përpara se të arrijë në Çmimin e Madh të Bahreinit. Sainz ka bërë disa xhiro me “SF71H”, që fabrika e Maranelos e ndërtoi në 2018 dhe që fitoi me të 6 gara me Sebastian Fetelin.
Sainz, 26 vjeç, ka disa javë që punon në fabrikën e Maranelos. Ka parë se si është bërë me porosi kabina e makinës së tij, ndërsa nuk kanë munguar komunikimet me ekipin e tij të punës, kryesuar nga Rikardo Adami, i cili do të jetë inxhinier i garës së tij. Tek “Ferrari” besojnë se kabë bërë ndryshime në makinën e re SF21, e cila është krejt ndryshe nga ajo e sezonit të kaluar, e me të cilën shpresojnë t’i afrohen podiumit. Të martën, po në Fiorano, ka bërë prova edhe Sharl Lëklerku, i cili u rikthye pas periudhës së karantinës, për shkak të infektimit me Covid-19.
Piloti nga Monako, ka kryer rreth 100 xhirot e parashikuara dhe ka mbetur i kënaqur nga puna e bërë. Të enjten do të jetë radha e Mik Shumakerit dhe Kallum Ilotit.