AlbanianSport.com 23/03/2021 20:10
ASNN – Piloti australian i “McLaren”-it premton maksimumin për skuadrën e tij të re. “MekLaren”-i nuk ka ndryshuar vetëm motorin për 2021-shin, por edhe dyshen e pilotëve, me Daniel Riçiardon që do të garojë përkrah Lando Norrisit në skuadrën britanike. Dhe, duke folur para debutimit të tij me skuadrën e re, Riçiardo ka premtuar të japë maksimumin për të ndihmuar “MekLaren”-in, që kërkon të rikthehet tek fitorja e munguar.
Piloti australian dhe “MekLaren”-i shijuan një takim të parë pasionant në testet e parasezonit të 2021-shit, me Riçiardon që bëri prova shumë të mira me makinën e tij të mbiquajtur “MCL35M” me motor “Mercedes”i, dhe të dhënat nga këto teste treguan se skuadra britanike duket e fortë me ritmin si në distancat e shkurtëra, ashtu edhe në ato të gjata. Dhe, në prag të atij që ai e ka quajtur “një kapitull të ri” në karrierën e tij, Riçiardo ishte optimist se sezoni i tij i parë me “MekLaren”-it do të jetë “një sezon konkurrues”.
“Është fillimi i një kapitulli të ri, gara ime e para me ngjyra të reja dhe mezi pres të filloj, – ka thënë 31-vjeçari, duke vijuar: “Skuadra më ka bërë të ndjehem si në shtëpi, ndonëse në një hapësirë kaq të shkurtër kohe dhe ndjehem i sigurt dhe i qetë teksa i drejtohemi sezonit të ri, që është i rëndësishëm, sepse dua të nxjerr maksimimun nga makina që në garën e parë. Si skuadër, i kemi shfrytëzuar në maksimum testet parasezonale me disa xhiro të kënaqshme.”
“Ishte mjaft e këndshme të përshtatesha shpejt me makinën “MCL35M” në vetëm pak ditë që punova me të në pistë. Mendoj se, natyrisht, duhet pak kohë sa të përshtatem plotësisht me makinën e re, por ndjehem gati për të sfiduar pistën të premten. Ky sezon pritet të jetë konkurrues, por unë po synoj të sfidoj që në fillim, të mos mbaj asnjë rezervë dhe të jap gjithçka për skuadrën, duke shpresuar t’u jap admiruesve tanë diçka që do t’i kënaqë”, – ka përfunduar piloti i “MekLaren”-it, Daniel Riçiardo.