AlbanianSport.com 12/02/2019 21:40
ASNN – Skuadra franceze e “Renault” ka prezantuar makinën e re me të cilën do të konkurrojë në Botërorin 2019 të Formula 1. Ajo është në ngjyrë të zezë e me vija të verdha. Me të do të garojnë, Daniel Riçardo dhe Niko Hulkenberg. Skuadra franceze shpreson shumë nga Riçiardo, me të cilin synon fitimin e titullin “kampion” në Formula 1, që i mungon nga viti 2006.
Prezantohet makina e re, “Renault RS19”, e cila do të konkurrojë në Botërorin e Formula 1, në 2019. Me objektivin e qartë, për të marrë sa më shumë fitore e podiume. E për t’ia arritur kësaj përkrah pilotit gjerman tashmë të konfirmuar, Niko Hulkenberg, do të jetë edhe australiani Daniel Riçiardo, ish-pilot i “Red Bull”-it, një parakalues i madh, disa herë pranë kalimit te “Ferrari”, e mjaft i dashur për publikun.
Me këtë makineri, skuadra franceze synon objektivin e shumëkërkuar, titullin botëror të Formula 1, që i mungon që nga 2006-ta, pas triumfit të Fernando Alonsos. “Unë do ta vë gjithë profesionalizmin tim në dispozicion të skuadrës, – tha piloti australian. – Kjo është pjesë e punës time. Dua të jem katalizator me energji pozitive për të gjithë stafin me të cilin do të punoj.”
Ngjyra e makinës do të jetë e zezë me vija të verdha. Daniel Riçiardo u largua nga skuadra e tij e parë, “Red Bull”, për t’u bërë fitues i Botërorit. Niko Hulkenberg shpreson që makina e tij të jetë konkurruese, duke ditur se është një pilot që ka bërë shumë gara në Formula 1 por pa u ngjitur dot asnjëherë në podium. Një rekord të cilin ai kërkon ta harrojë.
“Renault” do të furnizojë me motor vetëm dy skuadra këtë vit, veten e saj dhe “McLaren”-in. Ndërsa Alen Prosti, konsulent për skuadrën franceze, kërkon të fitojë diçka. Si skuadër “Renault” nuk fiton që nga 2006 me Alonson, si motor, nga 2013 me “Red Bull”-in të Sebastian Fetelit. “Renault” do të provojë makinën e re në testet e Barcelonës, javën e ardhshme.