AlbanianSport.com 27/10/2021 19:55
ASNN – Horner: “Pjesa e pasme e makinës “W12” është ndryshe nga makinat e tjera”. Maks Verstapen vjen në 5 garat e fundit të sezonit të Formula 1 me 12 pikë më shumë sesa Ljuis Hemiltoni. “Tani do të ketë pista të favorshme, si për ne edhe për “Mercedes”-in”, – tha shefi i “Red Bull”-it, Kristian Horner. Meksika dhe Brazili, në teori, janë më të favorshme për makinën e tij, “RB16B”, ndërsa në Katar mendohet të përfitojë “Mercedes”, ndonëse ky vit ka patur shumë të papritura. Si shembull mund të marrim garën në Ostin, ku Hemiltoni ishte favoriti kryesor, por fitoi holandezi.
Por përtej kësaj, Red Bull vazhdon të jetë i shqetësuar për pjesën e pasme të makinave “W12”, që drejtohen nga Hemiltoni dhe Valteri Botas. Nga videot e kamerave të ndryshme, ata dyshojnë se lartësia e makinës ndryshon në varësi të shpejtësisë së saj. Kur tejkalon 200 km në orë, makina humbet centimetra dhe, rrjedhimisht, edhe rezistencën e ajrit. Ajo i rikuperon ato kur ngadalëson shpejtësinë, kështu që forca e shtytjes nuk ndryshohet gjatë kthesës. Por tek “Red Bull”-i ende nuk e kanë të qartë se kjo është e ligjshme apo e paligjshme. Ekipet e tjera përdorin sisteme të ngjashme, megjithëse jo aq të ekzagjeruara.
Nëse kjo do të ishte një zgjidhje e dobishme, tek “Red Bull”-i nuk kanë kohë për ta përfshirë atë në makinë as për garën në Abu Dhabit, që mbyll Botërorin. Teknika ka qenë një fushë beteje në vitin 2021, megjithëse është tashmë shumë larg në kohë. “Mercedes”-i i bëri thirrje Federatës Ndërkombëtare të Automobilizimit (FIA) për krahët e pasëm fleksibël të “Red Bull”-it, të cilët jepnin disa centimetra në varësi të shpejtësisë. Ata u ndaluan duke nisur nga gara në pistën franceze të “Pol Rikardit”. Skuadra të tjera, si “Alpine” ose “Alfa Romeo”, pësuan dëme kolaterale në këtë betejë, sepse ata duhej të rishikonin planet e tyre.
Kishte gjithashtu dyshime dhe ankesa për përmirësimet e fuqisë së “Honda”-s gjatë verës. Por tani kur kanë mbetur edhe 5 gara për të përfunduar, ka edhe 153 pikë në lojë, 25 për një fitore në një Çmim të Madh, një për çdo xhiro më të shpejtë, plus 3 për fituesin e sprintit në Interlagos. Diferenca mes Verstapenit dhe Hemiltonit është minimale, por edhe në konkurrimin për titullin e konstruktorëve, difeenca midis “Mercedes” dhe “Red Bull”-it është vetëm 23 pikë. Javën e ardhshme, Formula 1 rikthehet në Meksikë.
Pjesët e drejta të pistës favorizojnë Hemiltonin, kthesat e ngadalta janë për Verstapenin dhe tifozët që do të mbushin tribunat do të inkurajojnë fuqishëm Serxhio Perezin. Kjo është situata aktuale në Formula 1.