AlbanianSport.com 02/10/2018 17:05
ASNN – Formula 1 po shqyrton një formati të ri për provat zyrtare, që do të futet në përdorim në vitin 2019. Ky format do të konsistojë në eliminimin e 4 skuadrave në seancën e parë, 4 skuadrave në të dytën, 4 në të 3-tën dhe duke lënë vetëm 8 në seancën e re, atë të 4-tën. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) po shqyrton mundësinë e kalimit nga 3 në 4 seanca të provave zyrtare të Formula 1 në 2019-ën, në një përpjekje për t’i bërë ato më tërheqëse dhe zbavitëse.
Formati i ri, që është diskutuar në një takim të fundit të Grupit të Strategjisë së kësaj Federate, do të konsistojë në eliminimin e 4 skuadrave në seancën e parë, 4 skuadrave në të dytën, 4 në të 3-tën dhe duke lënë vetëm 8 në seancën e re, atë të 4-tën. Ideja është që kjo do të rrisë konkurrencën, sepse garuesit pretendentë duhet të bëjnë 3 herë xhiro mjaftueshëm të mira për të siguruar vendin në seancën e fundit.
Po ashtu, kjo do ta bëjë më të vështirë edhe për pilotët më të shpejtë që të marrin përsipër rrezikun e shkuarjes në seancën e fundit me goma të forta, sepse ndryshe nga formati aktual me 10 makina, vetëm 8 do të luftojnë në fund për vijën e parë të nisjes. Një tjetër përfitim do të jetë që të kualifikuarit për në vendin e 9-të dhe të 10-të do të kenë lirinë e zgjedhjes së gomave.
Kjo nënkupton se më pak pilotë të mesit të rreshtimit para garës do të përballeshin me problemin e garimit me gomat e gabuara. Por, për momentin, ky është thjesht një koncept dhe drejtori i garave në Formula 1, Çarli Uiting ka shpjeguar se është bërë një anketim i gjerë me tifozët dhe ka rezultuar se atyre u ka pëlqyer një ide e tillë. Megjithatë, janë shumë aspekte të tjera për t’u shqyrtuar, sidomos zgjedhja e gomave, por dhe kohëzgjatja e seancave.