AlbanianSport.com 08/07/2019 19:30
ASNN – Nga gjysmë milionë Euro në vit, në plot 42 milionë Euro në vit. Ky kapërcim i frikshëm është një realitet i prekshëm në Formulën 1, sa i përket pagesës së pilotëve të saj. Natyrisht, kreun e podiumit e mban 5 herë kampioni i botës, Ljuis Hemilton, i ndjekur nga gjermani Sebastian Fetel dhe australiani Daniel Riçiardo. Jo vetëm kampionati më i madh garave të shpejtësisë në botë, por padyshim edhe ai më i kushtueshmi dhe më fitimprurësi njëkohësisht.
Përveç pasionit dhe nivelit të jashtëzakonshëm teknologjik, Formula 1 është një Botëror, që është në fakt edhe një biznes kolosal, i cili që gjeneron rreth 2 miliardë Euro në vit, vetëm si veprimtari sportive. Me fjalë të tjera, kjo përfshin të ardhurat nga regjistrimi i skuadrave, shitja e biletave, shitja e të drejtës televizive dhe të ardhurat nga sponsorizimet. Një pjesë e këtyre të ardhurave ndahet midis skuadrave pjesëmarrëse, të cilat duhet të gjenerojnë edhe të ardhura të tjera.
Kjo sepse shpenzimet janë të shumta aq sa ka disa skuadra që dalin edhe me humbje. Natyrisht, një barrë e madhe e kësaj kostoje është paga e pilotëve dhe vlera minimale që një pilot fiton në vit është 500.000 Euro. Natyrisht, niveli ngrihet në mënyrë marramendëse dhe ai është mbresëlënës kur bëhet fjalë për 10-shen e më të paguarve. Në vend të 10-të renditet Lens Strolli, të cilit ekipi i “Haas”-it i jep 1.5 milionë Euro në vit, ndërsa mbi të renditet Romën Groszhon, po i “Haas”-it, që paguhet 2. 2 milionë Euro në vit.
I riu Sharl Lëklerk paguhet 3 milionë Euro në vit nga “Ferrari”, ndërsa vendin e 7-të e ndajnë dy pilotët, Karlos Sainzi i “McLaren”-it dhe Serxhio Perezi i “Racing Point”, që janë të dy në nivelin 4 milionë Eurove në vit. Vendin e 6-të e mban, ish-piloti i “Ferrarit” dhe “McLarenit”, Kimi Raikoneni, i cili paguhet tani nga “Alfa Romeo” në kuotën e 6 milionë Eurove në vit, kurse vendin e 4-të e ndajnë Valteri Botas i “Mercedes Benz”-it dhe Niko Hulkenbergu i “Renault”, të cilët fitojnë të dy nga 8 milionë Euro në vit.
Maks Verstapeni, i cili mban vendin e 4-t, është i pari që tejkalon pragun dyshifror dhe paguhet saktësisht 12 milionë Euro në vit nga “Red Bull”-i, ndërsa shkallën më të ulët të podiumit të nderit, me shifrën e frikshme të 20 milionëve Eurove në vit e mban Daniel Riçiardo i “Renault”. Ashtu sikundër edhe në pistë, Sebastian Feteli gjendet një shkallë më lart në këtë podium, por fiton gati dyfishin e vendit të 3-të.
“Ferrari” e paguan pilotin gjerman saktësisht 35 milionë Euro vit. Natyrisht, kreun e podiumit e Ljuis Hemiltoni. 34-vjeçari anglez, 5 herë “kampion bote”, fiton plot 42 milionë Euro në vit vetëm nga “Mercedes Benzi”. Ljuis Hemiltoni është piloti më i paguar i të gjitha kohërave në Formula 1 dhe është një të njëjtën kohë piloti më i pasur i të gjitha kohërave. Pasuria e tij aktuale është rreth 450 milionë euro ndërkohë që ka ende vite të tjera përpara për të garuar në nivelet maksimale.