AlbanianSport.com 03/08/2018 18:25
ASNN – Ai është një nga personazhet më të spikatur të saj dhe bota e Formula 1 është në ankth këto ditët e fundit për Niki Laudan. Tre herë kampioni i botës dhe ish-“Ferrari”-sti e ndodhet në kushte kritike për jetën në një spitalin të kryeqytetit austriak, Vjenës, ku ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për transplantin e mushkërive, për shkak të një sëmundjeje serioze. Kjo është ajo që klinika universitare në fjalë, ka bërë të ditur sonte. 69-vjeçari, themeluesi i kompanisë ajrore “Niki” dhe presidenti aktual i nderit i Mercedes-it, ka kryer në të shkuarën edhe një transplant të veshkave.
“Transplanti u krye me sukses, – sqaroi spitali në një deklaratë të shkurtër për shtyp. – Ne kërkojmë të kuptoni se familja nuk do të bëjë asnjë deklaratë publike dhe ne ju kërkojmë të respektoni privatësinë e familjes Lauda”. Prej disa javësh, Lauda është shtruar në spital, pasi ka ndërprerë pushimet e familjes së tij në Ibiza. Lauda, në fakt, nuk mori pjesë në garën e “Mercedes”-it në Formula 1, të zhvilluar në Hokenhaim më 22 korrik dhe në Hungari më 29 korrik 2018.
Sipas të përditshmes vjenezë “Oesterreich”, gjatë qëndrimit në Ibiza, pronari i kompanisë ajrore “LaudaMotion”, i ka nënvlerësuar simptomat e gripit. Kur gjendja e tij u përkeqësua, 3 herë ish-kampioni i botës u kthye në shtëpi me avionin e tij privat. Pas disa ditësh në kujdes intensiv, gjendja e Laudës ishte përmirësuar deri në pikën ku u arrit të transferohej në një departament tjetër. Megjithatë, ditët e fundit, kushtet u përkeqësuan përsëri dhe ai iu nënshtrua operimit delikat të një transplantimi të mushkërive. Në të kaluarën ai tashmë kishte pësuar dy transplante të veshkave.