AlbanianSport.com 22/05/2019 18:20
ASNN – Nisja nga vendi i parë në pistën e Principatës, një domosdoshmëri jetike për fituesin. Çmimi i Madh i Montekarlos është gara ku parakalimi është thuajse tabu dhe, për këtë arsye, nisja nga vendi i parë merr një rendësi jetike. Por grupi aktual i pilotëve të Formulës 1 ka mungesa serioze në këtë drejtim, çka e bën garën e fundjavës në Principatën mesdhetare, edhe më intriguese. “Është njëlloj si t’i japësh biçikletës në dhomën e ndenjes”. Kështu e ka përshkruar dikur në mënyrë legjendare Nelson Pikeja garimin në Montekarlo.
Dhe teksa gara ikonë e Formulës 1 rikthehet në fundjavë, spikat fakti se, midis pilotëve të këtij sezoni, vetëm 6 prej tyre e kanë shijuar nisjen nga vendi i parë. Dy prej tyre, Daniel Riçiardo tanimë i Renosë and Kimi Raikonen, tanimë i “Alfa Romeo”-s, e kanë nisur nga dy herë secili nga vendi i parë, por nuk pritet që të luftojnë për podium këtë fundjavë. Ata që pritet të luftojnë për podium, dhe që janë nisur nga një herë secili nga vendi i parë në pistën e Principatës, janë padyshim Sebastian Feteli dhe Ljuis Hemiltoni.
Megjithatë, po të marrim si etalon paraqitjen e sektorit të 3-të në pistën e Barcelonës, që çuditërisht ka rezultuar si një barometër i saktë për Montekarlon, pasi në 2018-ën, Daniel Riçiardo ishte më i shpejti në këtë pjesë të cirkuitit katalan, para se të siguronte nisjen nga vendi i parë dhe fitoren në pistën e Principatës dy javë më vonë, atëherë ai që duhet ndjekur me vëmendje është Valteri Botasi i “Mercedes”-it. Por edhe një vend i parë në nisje për Maks Verstapenin, që nuk përjashtohet duhe patur parasysh vrullin e makinës së tij “Red Bull”, do të shënonte herën e parë që nga Xhenson Batoni në 2006-ën në Australi, që një makinë me motor “Honda” niset nga kreu.
Dhe të parën e një makine “Honda” në Montekarlo që nga Airton Sena në 1991-shin. Ndërkohë, si Feteli, ashtu edhe Hemiltoni, kanë nga dy fitore secili në garën e principatës mesdhetare, me gjermanin që triumfoi në 2011-ën dhe 2017-ën, dhe me britanikun në 2008-ën dhe në 2016-ën. Për ironi, dy pilotët e tjerë që kanë më tepër fitore nga grupi aktual, janë Riçiardo dhe Raikoneni, me nga një fitore secili.