AlbanianSport.com 07/09/2021 17:25
ASNN – Merkato e pilotëve të Formula 1 po ecën me ritme të shpejta. Pas nënshkrimit të Valteri Botasit me “Alfa Romeo”-n, vjen edhe konfirmimi i Xhorxh Rusëllit me Mercedes. Piloti anglez do të garojë një skuadër me Ljuis Hemiltonin, duke filluar nga 2022. Pas 3 sezoneve të forta për “Uilliams”-in ku ai ka fituar vlerësime të larta, “Mercedes” ka deklaruar se ka nënshkruar me 23-vjeçarin një marrëveshje afatgjatë. Duke folur për mundësinë që i është dhënë, vetë Rasëlli tha: “Do të gënjeja nëse do të thosha se nuk jam shumë i lumtur”.
“Është një mundësi që duhet ta kap me të dyja duart”, – ka shtuar piloti i ri britanik, i cili nuk është i panjohur për ekipin e Mercedesit, pasi ai zëvendësoi Hemiltonin në Çmimin e Madh të Sahirit të vitit të kaluar, kur kampioni i botës u infektua me virusin korona. Kështu, pas 3 viteve të kaluar tek skuadra e “Uilliams”-it, Xhorxh Rasëlli bën kapërcimin e duhur në karrierë, duke u bashkuar me Ljuis Hemiltonin tek “Mercedes”-i duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Piloti 23-vjeçar ka firmosur një kontratë shumëvjeçare dhe zë vendin e Valteri Botasit.
Ky i fundit sapo është zyrtarizuar si pilot i ri i “Alfa Romeo”-s. “Kampion” në Formula 3 në 2017-ën dhe “kampion” i Formulës 2 në 2018-ën, Rasëlli ka qenë pjesë e pilotëve të rinj të skuadrës gjermane 4 vite më parë dhe ka ngarë edhe më parë një “Mercedes”-it në Formula 1. “Është një ditë speciale për mua nga ana personale dhe profesionale, – ka deklaruar ai. – Jam shumë i lumtur që u transferova tek “Mercedes”-i, është një hap shumë i madh në karrierën time. Dua të falënderoj shokët e skuadrës dhe miqtë tek “Uilliams”-i.”
“Ishte një nder për mua që të garoja nën emrin e “Uilliams”-it në Formula 1”, – ka shtuar britaniku, i cili ka folur edhe bashkëpunimin në vijim me Ljuis Hemiltonin. “Sipas meje, shoku im i skuadrës është padyshim piloti më i mirë i të gjitha kohërave. E kam admiruar Hemiltonin që kur ka nisur karrierën e tij dhe besoj se do të më ndihmojë shumë që të rritem në karrierë. Tashmë do të fokusohem tek gara e radhës dhe për skuadrën e re do të mendoj vetëm në 2022-shin”, – ka përfunduar piloti më i ri i “Mercedes”-it, Xhorxh Rasëll.