AlbanianSport.com 06/11/2021 22:25
ASNN – “Mercedes”-i befason “Red Bull”-in dhe Maks Verstapenin. Makinat e Botasit dhe Hemiltonit do të nisen nga vija e parë, në garën e së dielës, për Çmimin e Madh të Meksikës. Valteri Botas ka arritur të sigurojë nisjen nga vendi i parë, duke lënë pas shokun e skuadrës, Ljuis Hemiltonin, ndërsa kjo ishte hera e parë këtë sezon që dy makinat e skuadrës gjermane nisen nga radha e parë.
Piloti finlandez arrin për herë të parë nisjen nga vendi i parë në Meksikë, ndërsa është i treti për të në këtë Botëror të Formula 1. Në vijën e dytë të nisjes, janë dy makinat e “Red Bull”-it me Maks Verstapenin dhe Serxhio Perezin. Ky i fundit është përkrahur gjatë gjithë kohës nga tifozët vendas. Ndërsa ka qenë i papritur për holandezin, ky rezultat, pasi ai synonte që të nisej i pari.
Vija e 3-të e nisjes përbëhet nga Pjer Gasli dhe Karlos Sainz. Jo dhe aq mirë për Daniel Riçiardon dhe Sharl Lëklerkun që nisen në vijën e katërt. Dhjetëshen e të parëve e plotësojnë Juki Tsunoda e Lando Norris. Në sesionin e parë të provave zyrtare, Lens Stroll është përlpasur me barrierat mbrojtëse të pistës, duke bërë që të ndërpriten provat zyrtare për disa minuta.