AlbanianSport.com 03/06/2020 16:55
ASNN – Meksika kërkon të zhvillojë garën e vet në Formula 1. Kjo sepse në kalendarin e publikuar nga Federata Botërore e Automobilizmit (FIA) për 2020-ën, ajo nuk figuronte. Organizatorët e garës së Meksikës janë treguar të gatshëm që ta zhvillojnë Çmimin e Madh të tyre në datat e përcaktuara më parë, në fundjavën nga 30 tetori, deri në 1 nëntor 2020. Gjatë orëve të fundit, Formula 1, ka publikuar 8 garat e para të kalendarit të ri për 2020, me cirkuitet e mbetura. Por midis tyre nuk figuron Çmimi i Madh i Meksikës.
8 garat e zyrtarizuara janë të gjitha në Evropë. Formula 1, së bashku me FIA-n, po vlerësojnë ende ku mund të zhvillojnë disa gara të tjera, për të plotësuar kalendarin që duhet të ketë nga 15 deri në 17 Çmime të Mëdha. E midis tyre është edhe mundësia e Çmimit të Madh të Meksikës. Organizatorët e garës kanë publikuar një komunikatë për shtyp me të cilën kanë bërë të ditur se janë ende të vlefshme datat e përcaktuara që në vitin e kaluar.
“Organizata promotore e Çmimit të Madh të Meksikës, pranon se datat e Botërorit të Formulës 1 për 2020, në të cilat do të zhvillohet gara, pra 30 tetor deri në 1 nëntor, do të mbeten të njëjta, – thuhet në këtë komunikatë. – Përparësia absolute e organizatorëve të Çmimit të Madh është garantimi i shëndetit për të gjithë. Për këtë janë adoptuar masat të rrepta shëndetësore për të siguruar që gara në Autodromin “Hermanos Rodrigez” të zhvillohet brenda të gjitha rregullave.”
“Për këtë organizatorët e garës, FIA dhe F1 po ndjekin nga afër situatën lidhur me Covid-19”, – përfundon komunikata në fjalë. Në rast se, të detyruar për shkak të forcave madhore, gara në Meksikë, do të bëhet pa tifozë ose mund të anulohet, kjo gjë do të njoftohet në kanalin zyrtar të Çmimit të madh të Meksikës. Edhe biletat e blera nga të gjithë spektatorët do të rimbursohen me vlerën 100%. Ndërkohë, administratori i “Liberti Media”, Çejs Keri, ka deklaruar se nuk do të anulohet asnjë garë e cituar në kalendar.