AlbanianSport.com 12/09/2021 20:40
ASNN – Ndëshkohet nga komisarët e garës për garën e ardhshme. Kështu, Maks Verstapeni është shpallur fajtor për aksidentin të dielën me Ljuis Hemiltonin, dhe është penalizuar me 3 pozicione në nisjen e garës së radhës të Botërorit të Formulës 1, që do të zhvillohet në Rusi. Ka qenë ky vendimi i marrë nga komisarët e
garës së Italisë, zhvilluar në pistën e Monzës.
Ata e kanë konsidereuar pilotin holandez të “Red Bull” fajtor për aksidentit që pati me Ljuis Hemiltonin e “Mercedes”-it. Aksidenti ndodhi në xhiron e 25-të dhe të dy pilotët përfunduan jashtë piste në kthesën e parë. Sipas komisarëve, në hyrjen e kthesës së parë, Hamilton ka mbajtur trajektoren për të evituar kontaktin edhe pse pozicioni i tij në pistë bëri të mundur që Verstapen të shkojë tek ai.
Por komisarët saktësuan se holandezi nuk ishte në krah të britanikut në kthesë. Ata vlerësojnë se Verstapeni e nisi manovrën e parakalimit shumë vonë. Edhe Hamilton mund të kishte anuar më shumë për të evituar aksidentin, por pozicioni i tij ishte i rregullt, ndaj Verstapen është fajtori kryesor. Para marrjes së këtij vendimi, komisarët kishin dëgjuar versionet e të dy pilotëve.