AlbanianSport.com 15/09/2018 18:50
ASNN – Ljuis Hemilton do të niset i pari në garën për Çmimin e Madh të Singaporit. Piloti britanik ka vendosur kohë rekord në provat zyrtare të së shtunës. Pas tij, nga vendi i dytë, do të niset holandezi Maks Verstapen. Më pas vijnë me radhë Sebastian Fetel, Valteri Botas dhe Kimi Raikonen. Kështu, Ljuis Hemilton dhuron spektakël në provat zyrtare të Çmimi të Madh të Singaporit.
Piloti britanik ka dhënë kohën 1 minutë, 36 sekonda e 15 të mijëtat, duke thyer rekordin e pistës së “Marina Bej”. Por rezultatet e jashtëzakonshme të pilotit të “Mercedes”-it nuk mbarojnë këtu. Me vendin e parë në nisje, të siguruar të shtunën në Singapor, ai e çon në 79 numrin e tyre, një rekord absolut ky për të. Ashtu si gjithnjë, gara e Singaporit zhvillohet me drita duke i dhënë një bukuri të veçantë asaj.
Ashtu si provat, edhe gara të dielën do të sillet për teleshikuesit drejtpërdejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Duke zgjedhur një strategji me goma “hipersoft”, skuadra e “Mercedes”-it tregon se makinat e saj janë më të shpejta. Kështu vepron edhe “Ferrari”. Por, megjithëse në sektorët e parë të pistës dy “Kokëkuqet” janë më të shpejta, në pjesën tjetër, “Shigjetat e argjendta” janë të pakapshme.
Feteli dhe Raikoneni nuk arrijnë të shkojnë më shumë se vendi i 3-të dhe i 5-të. Ndërkohë që, pikërisht në xhiron e fundit të kohës së rregullt të provave zyrtare, Verstapeni jep kohën e shpejtë, e cila i siguron vendin e dytë. Kurse Valteri Botas, vetëm i 4-ti në nisje. Gara e 15-të e Botërorit të Formula 1, ajo e Çmimit të madh të Singaporit, do të zhvillohet të dielën, në orën 14:00.