ASNN – Piloti nga Monako rrëfen vështirësitë e para me skuadrën e Maranelos. Me një vend të 3-të në Bahrein në 2019 në garën e tij të dytë me “Ferrari”-n, dhe dy fitore të mëvonshme Belgjikë dhe Monza, përshtatja e Sharl Lëklerkut me makinën “Ferrari” dhe skuadrën e Maranellos dukej se do të ishte e menjëhershme. Të paktën nga jashtë, sepse realiteti, siç shpjegon vetë piloti duke folur faqen zyrtare të Formulës 1 në Internet, ishte shumë i ndryshëm.
“M’u desh gati një vit për të kuptuar saktësisht dinamikën e ekipit, si të përballesh me problemet, si të reagojmë ndaj tyre” – thotë ai. Pas këtyre deklaratave të pilotit nga Monako, edhe Karlos Sainzi duket se nuk është i vetmi që nuk pati një debutim të lehtë në ekipin italian, në një sezon ku spanjolli është tashmë i 6-ti me 83 pikë, 3 më shumë se shoku i skuadrës. “Unë ndjehem më rehat tani se në fillim,” – ka thënë Lëklerku.
“M’u desh të mësoja shumë gjëra, edhe pse nga jashtë duket se gjithçka ishte e lehtë, – ka vijuar ai. – M’u desh gati një vit që unë të ndihesha rehat në ekip.” Ndërkohë që ai vetë e pranon se kjo është një kohë shumë e gjatë, teksa thekson: “Po është një kohë e gjatë, por shumë interesante sepse kur e jeton ajo ndihet shumë më e shkurtër dhe mund të ndjesh çdo hap, të mësosh diçka dhe ta zbatosh atë. Ndihesh gjithnjë e më shumë nën kontrollin e situatës.”
Realiteti është se përshtatja me drejtimin e një “Ferrari” nuk duket të jetë një detyrë e lehtë, por piloti i ri 23-vjeçar nga Montekarlo rrëfen se ky proces e ka ndihmuar atë të rritet “si pilot dhe si person”. “Ndihem një pilot më i mirë në krahasim me atë kur erdha në fillim. Formula 1 është një sport i të mësuarit të vazhdueshëm dhe mendoj se të gjithë në këtë sport po mësojnë sa herë që hipin në makinë”, – përfundoi piloti i Ferrarit, Sharl Lëklerk.