AlbanianSport.com 17/04/2020 20:55
ASNN – Piloti i “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk, e ka pranuar se edicioni i ri i Formulës 1 duhet të nisë, edhe pa praninë e shikuesve në afërsi të pistës. I cituar nga rrjeti prestigjioz britanik, BBC, piloti i ri nga Montekarlo ka thënë se kjo do të jetë “shumë më ndryshe”. Nëntë garat e para të sezonit 2020 në Formula 1 janë anuluar apo janë shtyrë për shkak të epidemisë globale të koronavirusit.
Drejtuesit e Formulës 1 po punojnë për planin që të nisin edicionin në Austri në fundjavën e 3-5 korrikut. Gara e Austrisë do të pasohej në dy gara në Silverstoun. Të gjitha këto do të mbahen pa praninë e shikuesve. “Në një situatë si kjo, siguria dhe shëndeti i të gjithëve është në rend të parë”, – ka thënë Lëklerku.- Kështu që duhet të bëjmë çdo gjë për të filluar edicionin sa më shpejtë që është e mundur.”
“Kjo nënkupton edhe zhvillimin e garave pa shikues, – ka vijuar piloti i ri i skuadrës italiane. – Por, si pilot, është e qartë se ke nevojë për përkrahjen e spektatorëve. Vitin e kaluar në Itali, në Monza, duke drejtuar “Ferrari”-n, e kemi ndierë padyshim përkrahjen dhe kjo na ka ndihmuar të fitojmë garën. Ishte fundjavë e veçantë për mua dhe për skuadrën tonë.”