AlbanianSport.com 27/09/2019 18:45
ASNN – Sharl Lëklerk ka kërkuar falje për reagimin në makinë pas parakalimit të tij nga Sebastian Feteli në Singapor. Ai ka pranuar se duhet të jetë më i vëmendshëm në mënyrën e komunikimit me radio dhe të kontrollojë adrenalinën. Ndërsa Feteli ëndërron të fitojë titullin “kampion bote” me “Ferrari”-n. Në fakt, “Ferrari” vjen në Soçi pas 3 fitoreve radhazi, Spa-Monza-Singapor dhe shpresën se mund të arrijë të katërtën.
Por ajo që shqetëson skuadrën e kuqe, janë ankesat e Sharl Lëklerkut në drejtim të drejtuesve, për shkak se, sipas tij, ata favorizuan Fetelin. Megjithatë duket se piloti nga Monako e ka kuptuar gabimin teksa shprehet: “Kam gabuar që reagova ashtu në makinë. Tashmë duhet të jem më i vëmendshëm, duhet të përdor më pak radion e të kontrolloj adrenalinën. Do të mundohem të mos e bëj më.”
“Shpjegimet që më dhanë pas garës më bindën se ajo ishte e vetmja mënyrë për të dalë i pari i dyti, pastaj as unë e as Sebi nuk jemi më në luftë për titull, – ka pranuar Lëklerku. – Në këtë moment rëndësi ka vetëm rezultati i skuadrës.” Ndërsa Sebastian Feteli, i rikthyer më në fund te fitorja nuk i ve shumë rëndësi fjalëve të Lëklerkut, teksa thotë: “Nuk u duhet dhënë shumë rëndësi mesazheve në radio.”
“Nëse do t’i vinin mikrofonë futbollistëve dhe golfistëve do të surprizoheshim nga ato që do të dëgjonim”, – ka theksuar gjermani. Ndërsa për synimin për në pistën e Rusisë, Feteli shprehet: “Më mungonte fitorja me Ferrarin dhe ia arrita. Dua të vazhdoj. Sfida është të arrij maksimalen dhe të fitoj gara. Ëndrra ime të dal “kampion” me Ferrarin” – ka thënë piloti gjerman.