AlbanianSport.com 03/07/2020 23:10
ASNN – Ishte si një rrufe në qiell të pastër, kur, përtej “reve” të epidemisë së virusit korona që po davariteshin, më 12 maj 2020, “Ferrari” ka deklaruar zyrtarisht se, Sebastian Fetel nuk do të jetë më pilot i skuadrës së kuqe pas këtij viti. “E morëm këtë vendim së bashku me Sebastianin, – kishte deklaruar asokohe Matia Binoto. – Mendojmë se kjo është një zgjidhje e mirë për të dy palët. Nuk ka qenë një hap i lehtë për t’u hedhur, duke marrë në konsideratë vlerat e Sebastianit, si pilot dhe si person.”
“Nuk ka qenë ndonjë arsye e veçantë që arritëm në marrjen e këtij vendimi, por duket se erdhi momenti që secili të vazhdojë rrugën e tij”, – pati shtuar kreu i skuadrës italiane. Me pak fjalë, ishte një divorc me marrëveshje, ashtu si shumë të tjerë në historinë e Formulës 1. Ndërsa vetë piloti gjerman nuk kishte folur për këtë çështje që nga 12 maji. E prononcimi për largimin e tij nga “Ferrari”, ka ardhur vetëm të enjten, në konferencën e zakonshme për shtyp që mbahet para çdo gare.
“Nuk hymë fare në diskutime, – ka shpjeguar Feteli. – Madje jam shtangur kur Matia më ka marrë në telefon dhe më ka komunikuar se skuadra nuk dëshiron të vazhdojë më me mua. Nuk ka patur asnjë ofertë të re dhe asnjë pikë kritike për t’u diskutuar.” Ky është versioni i Sebastianit, që është në fakt krejt ndryshe nga ai i drejtuesit të skuadrës italiane. Duket disi e çuditshme që “Ferrari” të largojë një pilot të tillë me një telefonatë dhe pa i ofruar një mund]si për kontratë të re.
E vërteta qëndron brenda mureve të “Maranelos”. Në konferencën për shtyp, Feteli ka deklaruar se do të vazhdojë të bëjë detyrën e tij. “Nuk e dimë se sa konkurrues do të jemi, por unë do të vazhdoj të bëj detyrën time, – ka thënë gjermani. – Unë do të garoj dhe nuk do ia bëj të lehtë Sharlit (Lëklerkut). Nuk do ta lejoj të kalojë me lehtësi në pistë”. Çështje krenarie dhe dashurie ndaj “Ferrari”-t kjo, për realizimin e një ëndrre, e cila në fakt nuk shkoi ashtu si piloti gjerman e kishte menduar.
Por edhe Lëklerku i është përgjigjur në mënyrë diplomatike shokut të skuadrës. “Do të luftojmë dhe të bëjmë lojën e skuadrës, nëse do të jetë e nevojshme. Nga Sebastiani kam mësuar shumë e do të vazhdoj ta bëj. Do të më mungojë si pilot dhe si person”, – ka përfunduar piloti i ri nga Monako.