AlbanianSport.com 11/03/2020 19:50
ASNN – Koronavirusi vjen edhe në Formula1, pikërisht në Çmimin e Madh të parë të sezonit, i programuar për t’u zhvilluar të dielën në Melbërn. Tre persona nga skuadrat pjesëmarrëse i janë nënshtruar analizave dhe janë në pritje të rezultateve. Bëhet fjalë për një anëtar të skuadrës “McLaren” dhe dy të “Haas”-it, që aktualisht ndodhen të izoluar në hotelet e tyre. Një ditë me shumë shqetësime ka qenë ajo e të mërkurës, për të gjitha skuadrat në Australi. Adrenalina natyrale në vigjilje të nisjes së Botërorit të Formula 1, që përcillet te të gjithë si zakonisht, ka marrë një drejtim tjetër.
Situata është tensionuar për shkak të koronavirusit. Nga një anë masat për zhvillimin normal të garës, nga ana tjetër frika për përhapjen e virusit që ekziston tek të gjithë pjesëtarët e skuadrave pjesëmarrëse. Në fakt këto të fundit kanë marrë të gjitha masat paraprake, por frika ekziston. Pikërisht të mërkurën në mëngjes, në mjediset e pistës së “Albert Park”, 3 persona nga skuadrat e Formula 1, janë izoluar në hotelet përkatëse, në pritje të rezultateve të analizave, të dyshuara për korononavirus. Bëhet fjalë për një pjesëtar të “McLaren” dhe dy të “Haas”-it, që kanë shfaqur simptomat e gripit.
Hoteli u mbyll menjëherë, me të gjithë personelin duke vendosur karantinën. Nuk dihet ende data e saktë se kur do të dalin përgjigjet e analizave, por mjekët thonë se duhet kohë nga 2-5 ditë, për shkak të mbingarkesës së punës që kanë laboratoret. E deri atëherë, këta tre persona duhet të qëndrojnë të izoluar në hotel. Ndërkohë qeveria australiane ka intensifikuar masat anti-koronavirus, sidomos pas lajmeve që vijnë nga Evropa në ditët e fundit. Në këto kushte hyrja e qytetarëve italianë, dhe atyre që kanë kaluar një periudhë në Itali në këto 3 javët e fundit do të jetë shumë e kontrolluar.
Këtyre kontrolleve iu nënshtruan edhe personeli i skuadrave të Formula 1, “Ferrari”-t, “Pirelli”-t e “Alpha Tauri”, tashmë prezente në Melbërn. Megjithatë, deri tani gara vazhdon të jetë e konfirmuar se do të zhvillohet me dyer të hapura.