AlbanianSport.com 01/06/2018 20:50
ASNN – Çmimi i Madh i Kanadasë zhvillohet të dielën e ardhshme në Montreal, por për pilotin e “Ferrari”-t, Kimi Raikonen, ai ka nisur pak më herët dhe, për fat keq, jashtë pistës së garës. Në fakt, ditët e fundit, policia kanadeze ka pranuar një ankesë të bërë në emër të pilotit finlandez, ku ai pretendon se është viktimë e një përpjekjeje të një femre për ta zhvatur financiarisht.
Kjo ankesë, e paraqitur nge një firmë ligjore në Montreal që përfaqëson Raikonenin, sqaron se ai është kërcënuar se do të akuzohet publikisht për sjellje të pahijshme seksuale nëse nuk pranonte kompensim financiar. Në 2016-ën, femra në fjalë kishte akuzuar nëpërmjet internetit se ishte përfshirë në një incident me një pilot të Formulës 1, të cilin ajo nuk e kishte identifikuar publikisht, dhe një mikun e tij teksa punonte në një bar pas Çmimit të Madh të atij viti në Kanada.
Ajo pretendoi se piloti i dehur dhe miku i tij ishin përpjekur ta ngacmonin seksualisht teksa punonte si kameriere. Në fillim të këtij viti, ajo publikoi një tjetër deklaratë, ku theksonte se e kishte mbrojtur për shumë kohë pilotin në fjalë dhe se tani do të vepronte për ta zgjidhur këtë çështje. Firma që përfaqëson Raikonenin ka pohuar se femra në fjalë e ka informuar atë për akuzat fillestare.
Por më 23 maj, ajo i kishte dërguar një letër firmës ligjore, ku e informonte se, në qoftë se nuk kompensohej financiarisht, ajo do t’i bënte publike akuzat. Firma në fjalë ka theksuar se bëhej fjalë për një “shumë mjaft të madhe” dhe se piloti finlandez i mohon krejtësisht këto akuza, duke i quajtur ato sajesa, dhe prandaj ndërmori këtë hap ligjor. Ndërkohë, firma ligjore që përfaqëson akuzuesen ka deklaruar se ankesa e Raikonenit për zhvatje dhe shantazh e shtrembëron krejtësisht të vërtetën.
Mbetet për t’u parë se si do të vijojë më tej kjo çështje, që sipas ekspertëve ligjorë, mund të zgjasë për muaj të tërë.