AlbanianSport.com 19/08/2021 15:40
ASNN – Piloti spanjoll: “Në pjesën e dytë të sezonit do të jemi më mirë”. Megjithëse ai ende nuk ka pasur rastin të shfaqet plotësisht në një Çmim të Madh me “Ferrari”-n, ndjesitë që Karlos Sainz ka përcjellë në asfalt, i kanë kënaqur ata që i besuan për ta patur si pilot të skuadrës së tyre. Piloti spanjoll sapo erdhi në Maranelo, kaloi orë të tëra në fabrikë, një praktikë e pazakontë kjo për një ekip në Formula 1.
Por vendimi i tij është përkthyer në rezultate që madje e vendosën atë para shokut të tij të skuadrës Sharl Lëklerk në renditjen e përgjithshme të pilotëve. Karlosi ka 83 pikë, kundrejt 80 të pilotit nga Monako dhe gjithashtu ka realizuar dy nga tre podiumet që “Ferrari” ka siguruar në gjysmën e parë të sezonit. Numrat vetëm nxjerrin në pah përshtatshmërinë që kishte madrileni në një sezon me makinën “Ferrari”, ku shumica e ndryshimeve ishin të komplikuara në pjesën tjetër të pilotëve.
Kjo i shton edhe më shumë vlerë paraqitjes së tij me një ekip shumë më kompleks sesa “McLaren”. Në fakt, Lëklerku e pranoi se pas mbërritjes te “Ferrari” atij i duhej të “mësonte shumë gjëra, edhe pse nga jashtë gjithçka dukej e lehtë”. Ndërsa partnerit të tij iu desh gati një vit për të kuptuar të gjithë këta faktorë. “Sainzi u përshtat mirë me “Ferrari”-n edhe pse nuk ishte e lehtë”, – siç pranon vetë ai.
Por pavarësisht vështirësive, spanjolli është i kënaqur me paraqitjet e tij me “Ferrari”-n. Por ai ende dëshiron më shumë. Sidomos kur mendon se do të përdorë një motor të ri në Botërorin e 2022. Siç dihet “Ferrari” po përgatit një revolucion të tërë në makinën e sezonit të ri. Por Sainzi është i sigurt se pjesa e dytë e Botërorit në vazhdim të Formulës 1 do të jetë më e mirë për “Ferrari”-n.