AlbanianSport.com 22/02/2020 20:30
ASNN – “Ferrari” nuk e ka nisur mirë sezonin e ri të Formulës 1. Makina e Sebastian Fetelit ka ngelur në mes të pistës gjatë testeve të zhvilluara. Sipas mekanikëve bëhet fjalë për një problem të vogël në motor, një rrjedhje vaji. Gjithçka mbetet për t’u parë në ditët në vijim. Por, gjakftohtësia e Matia Binotos është për t’u admiruar. Drejtorit të Përgjithshëm të “Ferrari”-t, i njihet aftësia për të përballuar gjërat negative, sikur të ishin pozitive.
Arrin gjithnjë të transmetojë pozitivitet, një sjellje kjo në kontrast me të të gjithë ata që kanë qenë në timonin e skuadrës më parë. E këtë Binoto e tregoi këtë, gjakftohtësinë e tij, edhe pas paraqitjes aspak të mirë të dy makinave të reja “SF1000” në testet e para dimërore. Se çfarë do të ndodhë, do të duket vetëm javën e ardhshme, kur dy makinat e kuqe, të kenë mbaruar të gjitha provat aerodinamike, në kërkim të kohëve të reja, me serbatorin bosh dhe gomat e buta.
Ndaj gjykimi për “Ferrari”-n e ri ka mbetur pezull. Nuk është e drejtë të jepet mendim mbi një makinë njëvendëshe që nuk shkoi në limitet e saj, dhe 3 ditët e kolaudimit shërbyen për të parë se si do të përshtatej motori me karburantin, disa ndryshime në makinë dhe pjesët aerodinamike. Por kambana e alarmit ra. Sebastian Fetelit i prishet motori i makinës së re, pikërisht në ditën e 3-të të testeve, pas vetëm 40 xhirosh të bëra të pistë.
Gjermani ka patur një ulje të fuqisë motorike në kthesën e 12-të dhe e ka ndaluar menjëherë makinën. Teknikët e “Ferrari”-t e kanë çuar menjëherë njësinë elektrike në “Maranelo” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi ndalimin e makinës. Sipas verifikimeve të para, nga brenda skuadrës flitet për një problem termik dhe hibrid në motor. Sipas teknikëve bëhet fjalë për një humbje vaji.