AlbanianSport.com 04/01/2022 23:55
ASNN – “Mercedes”, mesazh inkurajimi Hemiltonit: “Në fatkeqësi disa dorëzohen, të tjerë thyejnë rekorde”. Ljuis Hemilton vazhdon të qëndrojë në heshtje. 7-herë “kampioni i botës” në Formula 1 nuk ka dhënë asnjë intervistë që nga 12 dhjetori, datë kur u mbyll Botërori me garën e Abu Dhabit, e cila ia dha titullin Maks Verstappen mes polemikave.
Që atëherë britaniku i datëlindjes 1985 ka dalë në publik vetëm për të marrë titullin “Kalorës” (Sër) në Kështjellën “Uindsor”. Fjalët e Toto Volfit, që tregonin zhgënjimin për atë që ndodhi në garën e fundit, janë interpretuar në mënyra të ndryshme, madje duke nënkuptuar edhe një mundësi që 7-herë “kampioni i botës” nuk donte të vazhdonte më në Formula 1.
Por në orët e fundit, “Mercedes”-i ka dashur të japë një mesazh nëpërmjet rrjeteve sociale. Dhe skuadra gjermane ka publikuar një foto të Hemiltonit, që shikon përpara. Diçitura është domethënëse: “Në fatkeqësi, disa dorëzohen; të tjerët thyejnë rekorde”. Padyshim, një inkurajim ky për Ljuis Hemiltonin pas zhgjënjimit në Abu Dhabi.
E megjithatë, edhe pas këtij postimi, mundësia që britaniku të largohet nga garimi në Formula 1 qëndron ende. Gjithnjë në pritje të zhvillimeve të tjera, që do të sqarojnë situatën. Përpara Ljuis Hemiltonit, sidoqoftë, është një sfidë, ajo drejt fitimit të titullit të 8-të botëror. Asnjë nuk është ngjitur kaq lart sa ai në Formula 1. Nëse fiton kampionatin në 2022, britaniku do të bëhet piloti me më shumë tituj në botë.
Por edhe me më shumë fitore dhe nisje nga vendi i parë. Pra përpara tij ndodhet një sfidë tepër e rëndësishme, rasti për të shkruar emrin në historinë e Formula 1. Po çfarë do të ndodhë? Vetëm koha do ta tregojë…