AlbanianSport.com 15/04/2021 21:25
ASNN – Pas duelit magjepsës në Bahrein tre javë më parë, lufta e ftohtë midis “Mercedes”-it dhe “Red Bull”-it duket se do të ndizet sërish, teksa Formula 1 kthehet në Imola këtë fundjavë. Pas fitores së ngushtë të Ljuis Hemilton ndaj Maks Verstapenit, të dy ekipet janë të vetëdijshëm tashmë se ndryshimet midis tyre janë shumë të vogla. Por ndërsa kanë filluar përgatitjet në Imola, e pranishme aty është edhe macja gri, e mbiquajtur “Formulino”.
Ajo është fatsjellësja sekrete e Imolas në F1. Dihej pak për Formulino përpara Çmimit të Madh të vitit të kaluar në Emilia Romanja. Tashmë ajo është bërë një vizitore e rregullt në garazhet e ekipeve. Ajo i shikon pilotët në sy dhe të gjithë e shikojnë këtë si fat. Ajo vitin e kaluar ndaloi gjatë te Sebastian Feteli, atëherë pilot i “Ferrari”-t, por gjermani u shpreh se: “Nuk më pëlqejnë macet”. Kurse Hemiltoni ishte shumë më mikpritës me macen.
Kampioni i botës arriti ta përkëdhelë në kokë atë. Për këtë, “Mercedes” shkruajti më pas në “Twitter”, se të dy, piloti dhe ekipi “ishin bekuar nga macja e Imolas”. Fati i mirë i ofruar nga Formulino për Hemiltonin qartësisht i dha rezultatet. Pasi u nis i treti në fillimin e garës, Hamilton arriti të parakalonte Valteri Botasin dhe Maks Verstapenin, duke fituar garën në Imola. Nga ana tjetër, Feteli ishte me më pak fat, teksa e përfundoi garën në vendin e 12-të.
Morali i historisë? Macja e Imolas e tregon qartë fuqinë e saj për të vendosur fatin e fundjavës së garë së Formula 1 në Itali. E megjithë kufizimet për shkak të “Covid-19”, Formulino vazhdon të jetë e pranishme midis anëtareve të personelit të Imola. Por cilin do të bekojë këtë radhë Formulino?