AlbanianSport.com 30/05/2020 23:55
ASNN – Projektohet kalendari i Botërorit të Formulës 1 për 2020. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka menduar të zhvillojë të paktën 7 gara, për të mbyllur këtë kampionat. Gara e parë është në Imola, në Itali, në korrik, dhe do të mbyllet në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në nëntor 2020. Kështu, FIA ka arritur të riformulojë kalendarin e Formula 1 për 2020, me emrat e pistave dhe oraret e mundshme ku do të zhvillohen garat.
Pas shumë anulimeve e shtyrjeve të disa garave, për shkak të epidemisë së “Covid-19”, FIA ka menduar ta mbyllë këtë Botëror dhe të shpallë kampionët e vet. Është menduar të zhvillohen të paktën 7 gara, nga korriku deri në nëntor. Starti i sezonit do të bëhet në Imola, në pistën “Enzo & Dino Ferrari”, ku makinat njëvendëshe do të zbresin në fundjavën e 4-5 korrikut 2020. Më pas, makinat do të zhvendosen në Spanjë, në pistën e Barcelonës, ku, dy javë më vonë do të zhvillohet gara.
Pista e Portimaos, në Portugali, do të jetë vendi ku do të zhvillohet gara e tretë e programuar në 1-2 gusht 2020, para asaj që do të bëhet në Muxhelo, nga data 28, deri më datë 30 të të njëjtit muaj. Ndërkaq, gara në Spa do të mbahet në fundjavën e 11-13 shtatorit 2020. Rikthimi në Itali, në pistën e Mizanos do të ndonë më 26- 27 shtator 2020. Kjo do të mbyllë konkurrencën e pilotëve në Evropë, para finales së Botërorit, e konfirmuar kjo, me garën e Abu Dhabit, në fundjavën e 4-7 nëntorit 2020.
Për të siguruar shëndetin e të gjithë pjesëmarrësve, është hartuar një protokoll sigurie, ndërsa garat do të zhvillohen me dyer të mbyllura, pa tifozë. E ndaluar do të jetë hyrja edhe për median. FIA po punon ende dhe është në bisedime me autoritetet lokale, për të ndjekur të gjitha masat e sigurisë, në mënyrë që të gjitha këto gara të zhvillohen normalisht.
KALENDARI PARAPRAK:
Imola 4-5 korrik 2020
Barcelonë 18-19 korrik 2020
Portimao 1-2 gusht 2020
Muxhelo 28-30 gusht 2020
Spa-Frankorshomps 11-13 shtator 2020
Mizano 26-27 shtator 2020
Abu Dhabi 4-7 nëntor 2020