AlbanianSport.com 20.11.2014 11:40
ASNN – Fernando Alonso edhe zyrtarisht është larguar nga “Ferrari” pesë vjetësh. Vendin e pilotit spanjoll do ta zërë katër herë kampioni i Formula 1, gjermani Sebastian Vetel. Kjo është deklaruar sot nga skuadra italiane e Formula Një.
Ferrari ka konfirmuar se ka mbyllur zyrtarisht bashkëpunimin me pilotin spanjoll, Fernando Alonson. Kurse,skuadra nga “Maranelo” menjëherë ka zbuluar pasardhësin e Alonsos. Ai është katër herë kampioni i Formula 1, Sebastian Vetel.
“Jam i lumtur që kam qenë një pilot i Ferrarit, kam dhënë gjithmonë maksimumin, ishte një përvojë shumë e bukur, i falënderoj të gjithë”, – ka deklaruar Alonso, i cili ia lë kështu vendin 4 herë kampionit të botës Sebastian Vetel.
Ndërsa ky i fundit ka deklaruar: “Vendimi për të kaluar te Ferrari natyrisht që nuk ishte një vendim i marrë brenda natës. Është një zgjedhje e arsyetuar gjatë dhe e marrë së pari pasi ka qenë një ëndërr e imja që fëmijë dhe e dyta pasi ishte gjëja e duhur për të bërë në karrierën time, me objektivin për të fituar sërish dhe rikthyer Ferrarin në maja.”
Më tej, piloti gjerman, theksoi: “Kujtimi i parë në lidhje me këtë skuadër është ai që kam për Majkëll Shumaker në kohët e Ferrarit. Për të gjithë ne fëmijët ishte një hero, për këtë arsye Ferrari është kaq e rëndësishme për mua. Është një ëndërr fëmijërie”, përfundoi katër herë kampioni i Formula 1, Sebastian Vetel.