AlbanianSport.com 02/03/2021 20:35
ASNN – Edhe skuadra më e re, “Alpine” ka prezantuar makinën e saj për sezonin e ri të Formulës 1, duke kurorëzuar kështu edhe shndërrimin nga “Renault” në një skuadër të re. Në atë që ishte një prezantim virtual, të mbajtur në bazën e saj në Enstoun të Britanisë së Madhe, “Alpine” prezentoi makinën e re, që do të njihet si “A521” dhe që do të debutojë në garën e parë të këtij sezoni, në fund të këtij muaji.
Makina ka kryesisht ngjyrë blu, duke ndërthurur edhe trengjyrëshin e flamurit francez, ndërsa ajo ndërthur pjesët më të spikatura të një numri makinash të së shkuarës së “Renault” në botën e Formulës 1. “Renault” e mbylli në vendin e 5-të të renditjes së konstruktorëve sezonin e shkuar, por u ngjit me pilotët e saj 3 herë në podium dhe Esteban Okon do të mbetet me skuadrën franceze edhe për këtë vit.
Ndërkohë, pas kalimit të Daniel Riçiardos tek “MekLaren”-i, Okoni do të ketë përkrah dy herë kampionin e botës, Fernando Alonso, i cili rikthehet në Formula 1 pas dy vitesh mungesë dhe ka nënshkruar një kontratë shumëvjeçare. Spanjolli mungoi në prezantimin e së martës, teksa rikthehet tek “Renault” për herë të 3-të, ndërsa skuadra e re, “Alpine” ka bërë disa ndryshim edhe në drejtim, duke larguar drejtuesin e deritanishëm, Siril Abitebul, dhe duke e zëvendësuar atë me ish-drejtuesin e skuadrës së “Suzuki”-t në Moto GP, Davide Brivio.