AlbanianSport.com 24/08/2021 17:25
ASNN – Finlandezi: “Hemiltoni më kërkon sërish si shok skuadre tek “Mercedes”-i”. Valteri Botas apo Xhorxh Rasëll? Kjo është dilema e “Mercedes”-it, që reflekton përsa i përket çështjes së të ardhmes së pilotit të dytë të tij. Toto Volfi kërkon ta zgjidhë dilemën brenda shtatorit për të filluar programin e sezonit 2022 dhe t’i japë mundësinë pilotit për të zgjedhur rrugën më të mirë për të ardhmen. Por Botasi duket se e ka gjetur aleatin e tij.
Piloti finlandez ka pranuar se “Ljuisi më ka thënë se do të donte që të isha unë shoku i tij i skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm”. “Së bashku mund të bëjmë shumë mirë, – ka thënë Botasi, – por dëshira e pilotëve duket se nuk ka shumë rëndësi në të tilla vendime dhe kjo nuk është e drejtë. Janë shumë të tjerë më të rëndësishëm pas makinës, të cilët vendosin, ndaj ne na mbetet vetëm të presin se çfarë do të ndodhë.”
Por një mbështetje e madhe që vlen për Botasin dhe që e lidh me “njëvendëshen” gjermane edhe për sezonin e ardhshëm të Formula 1, nuk është vetëm përfaqësimi i tij në pistë, por edhe raporti shumë i mirë që ka me shokun e skuadrës, të cilin e ka ndihmuar mjaft herë për të fituar titujt “kampion” bote. “Nuk mund të them se me kë do të flas apo çfarë do të ndodhë, por ju siguroj se po mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë për sezonin e ardhshëm”, – ka thënë piloti finlandez i “Mercedes”-it, që mund të luajë kartën “Hemilton” për të bindur skuadrën të besojë sërish te ai.